
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, paralajmëroi se Rusia mund të jetë duke u përgatitur për një përballje të drejtpërdrejtë me aleancën perëndimore brenda pesë viteve të ardhshme.
Gjatë një fjalimi në Chatham House në Londër, Rutte theksoi nevojën urgjente për një hap të madh në mbrojtjen kolektive të NATO-s, duke përfshirë riarmatimin e përshpejtuar dhe rritjen e ndjeshme të buxhetit të mbrojtjes.
Ai tha se udhëheqësit e NATO-s pritet të bien dakord këtë muaj për të rritur shpenzimet ushtarake në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), nga të cilat 3.5% do të jenë shpenzime esenciale për kapacitete luftarake.
“Kjo nuk është vetëm për Ukrainën. Rreziku nuk do të zhduket as kur të përfundojë lufta atje,” u shpreh Rutte, duke theksuar se edhe nëse arrihet një marrëveshje paqeje me Kievin, Kremlini ka gjasa të vazhdojë rrugën e militarizimit.
Në planin e propozuar për forcimin e mbrojtjes, përfshihet një rritje pesëfish e mbrojtjes ajrore, mijëra tanke të reja dhe miliona predha artilerie për të forcuar rezervat dhe për të përballuar kapacitetet e prodhimit rus.
Deklaratat e Rutte nxitën një reagim të menjëhershëm nga Moska. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e akuzoi NATO-n për sjellje agresive, duke thënë se “aleanca po e tregon veten si një instrument konfrontimi dhe agresioni.”
Sipas vlerësimeve të planifikuesve ushtarakë perëndimorë, Rusia synon të mbajë një ushtri aktive dhe me përvojë me mbi 600,000 trupa, të shpenzojë rreth 6.5% të PBB-së në mbrojtje dhe të jetë në gjendje të kërcënojë krahun lindor të NATO-s përpara vitit 2030.
Top Channel