“Kur gotat flasin”/ Historia e dollisë shqiptare si formë komunikimi e trashëguar brez pas brezi dhe shprehje e miqësisë

08/06/2025 21:20

Në trojet shqiptare, ku mikpritja është thuajse ligj i pashkruar dhe fjala e dhënë ka vlerën e një betimi, ekziston një rit i lashtë që i ka mbijetuar kohërave dhe ndryshimeve: dollia.

Nuk po flasim vetëm për një ngritje gote si simbol për të festuar. Por për një formë komunikimi të trashëguar brez pas brezi, një shprehje e miqësisë, e cila duket se krijon një skenë ku çdo fjalë e shqiptuar bart një mesazh që shkon përtej momentit.

Ky është rrëfimi ynë të përfshirë plotësisht në zbulimin e botës së dollisë shqiptare, aty ku autenticiteti është thelbi.

Në traditën shqiptare, dollia ka qenë dhe mbetet një mënyrë e veçantë për të nderuar miqtë, të afërmit, vendin. Dhe këtë forcë të dollisë si akt kulturor e shpreh fuqishëm edhe kinematografia shqiptare.

Në këtë mënyrë, dollia shqiptare është më shumë se një rit i gostisë, ajo është një trashëgimi që meriton të ruhet e të vlerësohet si një pasuri kombëtare me rëndësi të veçantë.

Dollia po shërben si urë mes brezave, ku në çdo gotë të ngritur fshihet një histori, një ndjenjë dhe një kujtim i përbashkët.

Dollia ka dhe veçori të dallueshme nga njëra zonë në tjetrën. Karakteristikat e dollisë sipas rajoneve të ndryshme në studimin e profesor Sherif Bundos ndahet kryesisht në dy grupe: dollia zabërzançe dhe dollia sulovarçe.

Megjithëse duhet pranuar se rregullat e dollisë kanë ndryshuar, nga një rit solemn që udhëhiqej dikur nga hierarkia dhe zakoni në tryezat e brezit të vjetër, është kthyer sot në një shprehje më e thjeshtë dhe emocionale nga brezi i ri ku mbizotëron lirshmëria e ndjenjave. Tradita mbetet, por forma ndryshon me kohën.

Dollia, përfaqëson një pasuri të çmuar kulturore e shpirtërore mes shqiptarëve; që me inisiativë të një grupi intelektualësh propozohet të bëhet pjesë e trashëgimisë botërore në Unesco, i drejtuar nga akademiku Sherif Bundo i cili i ka kushtuar libra dollisë shqiptare, madje ka shkruar edhe një manual për rregullat e dollisë të përkthyer në gjuhë të huaja që ju shërben turistëve të njohin më mirë traditën shqiptare.

Top Channel