Situatë e paprecedentë në kualifikueset e Botërorit! Kaos dhe akuza për sabotim, kombëtarja e Bolivisë ndalohet të largohet nga Venezuela

07/06/2025 17:09

Pas humbjes 2-0 ndaj Venezuelës në kualifikueset e Kupës së Botës 2026, kombëtarja e Bolivisë është përballur me një tjetër pengesë, këtë herë jashtë fushës së lojës.

Autoritetet venezueliane kanë ndaluar fluturimin e ekipit bolivian të largohet nga aeroporti i Maturin, pa dhënë asnjë shpjegim zyrtar apo të qartë për bllokimin.

Delegacioni bolivian, i cili kishte përfunduar procedurat dhe dokumentacionin për kthimin në vendin e tij, u detyrua të kthehej në hotel në mes të natës pas orësh të tëra pritjeje. Sipas zyrtarëve të ekipit, justifikimi i vetëm i marrë nga autoritetet ishte një problem i paqartë me “trafikun ajror”, edhe pse në atë moment në aeroport ndodheshin vetëm dy avionë.

Drejtori teknik i ekipit, Óscar Villegas, u shpreh i habitur nga situata, duke treguar se kishte kërkuar më herët që qeveria boliviane të koordinonte me autoritetet e Nicolas Maduros për të shmangur pikërisht këto probleme. Ndërkohë, Harold Howard, përgjegjës për sigurinë e delegacionit, foli për një akt të qëllimshëm, duke e cilësuar si “sabotim”.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në Bolivi, si në radhët e sportit ashtu edhe në ato politike, ku janë bërë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme dhe për kërkimin e përgjigjeve nga pala venezueliane.

Përveç ndikimit diplomatik, incidenti ka prishur edhe axhendën e ekipit bolivian, i cili pritej të mbërrinte në La Paz në orët e para të mëngjesit për t’u përgatitur për sfidën e radhës kundër Kilit, që do të zhvillohet të martën në El Alto.

Top Channel