“Futbollistët tanë mezi shpëtuan jetët e tyre”, mediat serbe e bëjnë dramë, harrojnë çfarë ndodhi në Beograd! Kurir: Në Tiranë ishte terror

07/06/2025 23:04

Mediat serbe duket se kanë qenë shumë ‘kreative’ me titujt për lajmet e ndeshjes së sotme në Tiranë, në përballjen Shqipëri-Serbi, me rezultatin 0-0.

Kurir e ka pasqyruar të gjithë ndeshjen me termat “terror, skandal, po na sulmojnë lojtarët tanë”.

Gjestin e fëmijëve kur bënë me duar shqiponjën dykrenare, në mënyrë fëminore dhe të entuziazmuar, e kanë përshkruar kështu: sa urrejtje në Tiranë! Skandalet nuk mbarojnë kurrë… fëmijët treguan shqiponjën shqiptare gjatë këndimit të himnit tonë kombëtar, shikoni skenat e tmerrshme që i tmerruan të gjithë!

“FUTBOLLISTËT SERBË MEZI SHPËTOJNË JETËT E TYRE NË TIRANË: Një ndeshje skandaloze që duhej të NDALOHEJ! Gjorgje Petrović na solli një pikë kundër Shqipërisë”, është ky titulli i lajmit të përmbylljes së ndeshjes.

Duket se kujtesa e mediave serbe është e shkurtër, duke harruar dhunën që shkaktuan ndaj futbollistëve tanë 11 vite më parë në Beograd, çka solli ndërprerjen e ndeshjes dhe fitoren 0-3 në tavolinë për Shqipërinë.

Blic shkruan: “Edhe pse nuk dukej se do të ishte kështu, veçanërisht kur shikon atmosferën para ndeshjes, skuadra e Dragan Stojkoviç i mbijetoi një ferri të vërtetë. Tre herë djemtë tanë u goditën në kokë, Davide Massa ndërpreu shkurt duelin, por ai nuk pati guximin t’u tregonte lojtarëve rrugën për në dhomën e zhveshjes. Le të mos flasim për skandalin para ndeshjes, kur fëmijët treguan një shqiponjë dykrenare në fushë”.

Top Channel