Në një epokë të dominuar nga rrjetet sociale, ekranet dhe mbingarkesa e përditshme, koncepti “Library Walks” po përhapet në mënyrë virale si një trend i ri lifestyle që kombinon lëvizjen fizike me gjendjen psikologjike dhe shpirtërore.

Ky fenomen ka lindur nga videot në TikTok ku të rinjtë ndajnë ritualin e tyre të mëngjesit apo pasdites: një shëtitje e qetë drejt bibliotekës, jo për të studiuar, por për të lexuar për kënaqësi.

“Library Walks” nuk është vetëm një mënyrë për të kaluar kohën, por një formë terapie moderne. Rruga drejt një biblioteke afër banesës kthehet në një ritual të ngadaltë, ku njerëzit vendosin kufjet, dëgjojnë muzikë ambientale ose podcast-e frymëzuese, pinë një kafe në dorë dhe arrijnë në një hapësirë ku zëri i vetëm është ai i faqeve që kthehen.

Ky trend ka marrë mbështetje të madhe në qytete të mëdha si New York, Berlin dhe Seul, ku bibliotekat janë rikthyer në qendra joformale të mirëqenies mendore. Të rinjtë i quajnë këto shëtitje si “antidoti i ankthit të urbanizmit”, një mënyrë për të ngadalësuar ritmin dhe për të përqafuar qetësinë në një qytet që s’ndalet.

Në rrjete sociale janë krijuar komunitete që ndajnë rrugët më të bukura drejt bibliotekave të qyteteve të tyre, këshilla për libra që lexohen më mirë pas një shëtitjeje dhe edhe ‘outfit’-e të frymëzuara nga kjo qasje: veshje të rehatshme, tote bag me libra dhe atlete të bardha. Psikologët kanë theksuar përfitimet e mëdha të këtij rituali të thjeshtë: lëvizja e lehtë ndihmon trupin, leximi ndihmon mendjen, dhe rutina e qetë ndihmon shpirtin. Dhe në një botë që kërkon gjithmonë më shumë, “Library Walks” është një mënyrë për të thënë:

Më mjafton kjo qetësi e vogël për sot./ TAR

Top Channel