Myslimanët nëpër botë kremtojnë Kurban Bajramin: Lutjet në Gaza te xhamia e shkatërruar

06/06/2025 12:49

Besimtarët myslimanë në Gaza, lutjet e Kurban Bajramit i kryen në xhaminë gjysmë të shkatërruar Al Bani të Khan Junisit, e cila nuk është kursyer prej sulmeve izraelite.

Një moment simbolik ky, si për t’i rikujtuar botës makthin që banorët e enklavës përjetojnë çdo ditë prej më shumë se një viti tashmë.

“Bombardimet po vazhdojnë dhe ne jemi jashtë. Xhamitë janë shkatërruar dhe nuk mund ta dëgjojmë më hoxhën apo predikimet përmes altoparlantëve. Çdo ditë, madje edhe natën, edhe gjatë kohës së lutjes, bombardimet nuk ndalen.”

“Jemi në kushtet më të këqija që mund të kemi qenë ndonjëherë. Pas 100 vitesh vuajtjesh, shtypjeje, padrejtësie, shpërnguljeje dhe emigrimi, ata duan të na e marrin Gazën. Cfarë është kjo, një kompani apo toka e baballarëqve të tyre? Kjo është një botë e padrejtë, shpifëse dhe e ndyrë.”

Në Jeruzalem, me mijëra besimtarë myslimanë iu bashkuan lutjeve të Kurban Bajramit përpara xhamisë Al-Aksa, mes një pranie të shtuar forcash sigurie izraelite në zonë.

Në Xhaminë e Madhe të Mekës, pelegrinët kryen lutjet dhe ritualin e Tavafit, që kërkon nga myslimanët të rrotullohen 7 herë rreth Qabesë. Sipas traditës myslimane, Kurban Bajrami përkujton sakrificën që Ibrahimi ishte gati të bënte duke flijuar të birin, përpara se engjëlli të ndërhynte dhe t’i ofronte një dele për ta sakrifikuar në vend të tij.

Festa e Kurban Bajramit karakterizohet pikërisht nga pelegrinazhi i Haxhillëkut, që përbën dhe një nga pesë shtyllat e Islamit, dhe flijimi i kurbanit. Sipas mundësive fizike dhe financiare, myslimanëve u kërkohet që ta kryejnë këtë pelegrinazh të paktën një herë në jetë. Rituali pesëditor mbahet në Arabinë Saudite, ku ndodhen vendet më të shenjta të Islamit. Këtë vit, këtë detyrim janë duke e kryer mbi 1.5 milion pelegrinë.

Mijëra besimtarë u mblodhën për lutje këtë mëngjes edhe përpara xhamisë Al-Azhar në Xhakarta të Indonezisë, në Irak festa solli mbushjen e tregjeve me blerës, e në Homs të Sirisë, besimtarët kanë mundur ta kremtojnë Kurban Bajramin për të parën herë në më shumë se një dekadë, sepse për 14 vjet u ishin ndaluar kremtimet  për shkak të rebelimit të tyre kundër presidentit tashmë të përmbysur Bashar al-Assad.

Top Channel