
Besimtarët myslimanë në Kosovë e nisën ditën e sotme me lutje për paqe dhe solidaritet me njëri-tjetrin. Ceremonia kryesore e Kurban Bajramit, është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, nën drejtimin e myftiut Naim Tërnava, i cili e përshkroi këtë të sotmen si një ditë gëzimi, por edhe reflektimi.
“Është ditë kur kujtojmë mëshirën e Zotit, faljen dhe begatinë që ai na dhuron. Është ditë kur ne si besimtarë, por edhe si shoqëri, i kthejmë sytë edhe më shumë ndaj njëri-tjetrit me dhembshuri, solidaritet dhe përgjegjësi.”
Liderët shtetërorë të Kosovës i kanë uruar besimtarët për këtë festë, duke bërë thirrje për harmoni dhe begati në çdo familje. Presidentja Vjosa Osmani, e përshkroi Kurban Bajramin si thirrje për reflektim dhe forcim të lidhjeve.
“Qoftë kjo festë një burim frymëzimi për një të ardhme më të ndritur, me më shumë dhembshuri, mirësi dhe respekt të ndërsjellë”, është shprehur ajo. Edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, u shpreh se “kjo festë na përkujton sa e rëndësishme është të japim e të ndajmë me njëri-tjetrin, në harmoni e me dashuri”.
“Uroj që kjo ditë t’ua gjejë zemrat e tryezat të mbushura përplot, dhe paçi mbarësi e mirësi, shëndet e lumturi sot e mot”, tha Kurti përmes një postimi në Facebook.
Top Channel