Prishte qetësinë publike dhe nuk deklaronte disa punonjës tek tatimet në lokalin e tij në Ksamil, procedohet 33-vjeçari

05/06/2025 08:57
Foto Ilustruese

Në kuadër të masave të shtuara për garantimin e rendit, qetësisë publike dhe respektimit të ligjshmërisë në zonat turistike, Policia e Vlorës ka ndërmarrë kontrolle të përforcuara në subjektet që zhvillojnë veprimtari me muzikë të lartë.

Një prej rasteve të konstatuara së fundmi vjen nga Ksamil, ku një 33-vjeçar është proceduar si penalisht ashtu edhe administrativisht, për shkelje të shumta ligjore që variojnë nga ndotja akustike, punësim i padeklaruar, deri tek shmangia e detyrimeve tatimore.

33-vjeçari kishte punësuar në subjektin e tij, disa punonjës, pa i deklaruar në organet përkatëse, si dhe nuk lëshonte fatura tatimore.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, gjatë kontrollit të ushtruar në një lokal, në Ksamil, konstatuan se niveli i muzikës i tejkalonte kufijtë e lejuar me ligj.

Ndaj këtij subjekti, me pronar shtetasin A. M., u vu masa administrative, bazuar në legjislacionin në fuqi.

Gjatë verifikimeve të mëtejshme rezultoi se ky shtetas kishte punësuar në subjektin e tij, disa punonjës, pa i regjistruar në organet kompetente, si dhe nuk lëshonte fatura tatimore.

Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. M., 33 vjeç, banues në Ksamil.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë i bën thirrje të gjithë personave fizikë dhe juridikë që të respektojnë nivelin dhe orarin e lejuar për muzikën që gjenerojnë nga aktivitetet në subjektet e tyre.

Të vendosur për një sezon turistik të qetë dhe të sigurtë!

Top Channel