“Nuk mundët PD-në, por Shqipërinë”/ Gjekmarkaj në Kuvend: Ju duartrokisni për fitore, por keni humbur!

05/06/2025 11:20

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, hodhi akuza nga Kuvendi se zgjedhjet e 11 majit u manipuluan dhe u vodhën.

Duke iu drejtuar kolegëve të maxhorancës, Gjekmarkaj tha se në zgjedhje nuk u mund Partia Demokratike, por demokracia e Shqipërisë. Deputeti tha se u manipulua vota e diasporës, duke minuar demokracinë.

Fjalimi i plotë i Gjekmarkaj

Sot nuk ngrihem për të komentuar një rezultat ne këtë foltore! Ngrihem për të denoncuar një farsë. Ngrihem për të kontribuar me modesti për të mjekuar një plagë më të rënden në historinë bashkohore! Zgjedhjet e 11 majit nuk ishin as të lira, as të ndershme, as përfaqësuese.Ato ishin një proces i kontrolluar, një teatër i pushtetit, një simulakër demokracie. Partia Socialiste, Partia shtet, Qeveria shtet dhe Kryeministri Edi Rama, në vend që të organizonin një garë reale, zgjodhën të ndërtojn një proces të mbyllur, ku çdo element ishte i kontrolluar dhe i komanduar politikisht dhe shtetërisht.

Si ndodhi kjo? Me përdorimin e administratës publike si instrument elektoral, jo si shërbim për qytetarët; Me presion të drejtpërdrejtë nga grupe kriminale në lagje, në bashki, në çdo qendër qendër bllokimi dhe jo votimi. Me shkelje të hapura të Kodit Zgjedhor, përmes bonuseve elektorale, premtimeve të rreme dhe gjobave selektive.

Me manipulimin e votës së diasporës, duke u mohuar bashkatdhetarëve tanë të drejtën themelore për të votuar lirshëm dhe në mënyrë transparente. Këto veprime zhvlehsuan atë të drejtë, që gjasmë i dhamë diasporës të cilën bashkatdhetarëve tanë ua nxorrëm për hundësh; Dhe me një tutelim selektiv të biznesit, ku përfitimet dhe mbrojtja u jepen vetëm oligarkeve dhe atyre  që janë pranë pushtetit, duke ndëshkuar konkurrencën dhe duke kufizuar lirinë ekonomike të shqiptarëve.

Kolegë të mazhorancës, Ju e nisët këtë udhetim regresist  duke izoluar liderin e opozitës, z. Sali Berisha. Ky akt dëshmoi një mendësi që më shumë i ngjan një regjimi të vjetër trashëgimtarë të së cilës fatkeqësisht jeni, sesa një demokracie që aspiron standarde europiane.

Në ligjërimin tuaj, dëshmohet një përpjekje e orkestruar  për të shpallur opozitën të panevojshme: për ta përçmuar, për ta futur atë nën presion, për ta tallur për ta shtypur, denigruar asgjesuar. Por, pikërisht në këtë moment, secili prej jush i ka hequr vetes garancitë sublime që pluralizmi i siguron një shoqërie që aspiratë ka standartet demokratike. Po vraponi drejt së panjohurës me një naivitet të rrezikshëm.Dhe nuk do të keni kohë të pendoheni. Sot, nuk jeni më individë me identitet politik. Jeni kthyer në numra, në pritje të urdhrave nga një person i vetëm, që po e shndërron Partinë Socialiste në një mekanizëm kontrolli absolut.

Ju po e vrisni Republikën nga frika, jo nga kurajo. Ju jeni atentatorë të së ardhmes së fëmijëve tuaj, sepse duke hequr dorë nga liria juaj dhe nga pluralizmi, po vulosni fatin e një Shqipërie që do të ngelet e bllokuar në dilema ekzistenciale. Partia Socialiste, ashtu si funksionon sot, nuk është më një forcë politike, por një makineri dhune dhe pushteti që po shkatërron themelet demokratike të vendit tonë. Ju duartrokisni sepse mendoni se keni fituar, por në të vërtetë, keni humbur. Jeni bërë viktima të zellit, të urdhrit dhe të nënshtrimit. Prandaj sot, me përgjegjësi të plotë, po ju them:  Zgjedhjet e 11 majit nuk i shërbyen demokracisë. Nuk i shërbyen qytetarit. Nuk i shërbyen Shqipërisë.

Ato i shërbyen vetëm një qëllimi: Vazhdimit të sundimit të pakicës mbi shumicën, sundimit personal të Edi Ramës mbi ju dhe mbi çdo qytetar që e pranon sundimin. Sot, sundimi i mazhorancës është kthyer në një tirani ndaj shumicës së qytetarëve. Sot sundimi i shumicës qeverisëse jolegjitime, në fakt pakicës që shtiret si shumicë me vota të rrëmbyera, është kthyer në një tirani ndaj shumicës së qytetareve. Të nderuar kolegë të mazhorancës, ju që sot e quani këtë një “fitore”, kujtoni mirë këtë fjali:Ju nuk e mundët Partinë Demokratike. Ju e mundët Shqipërinë për një çast!

Shqiptarët që kanë punuar kundër Shqipërisë, ju e dini vetë si i thërret Historia! Duke ndalur rrotacionin, nuk keni ruajtur stabilitetin, por keni ndalur qarkullimin e ideve. Keni ndalur besimin e qytetarit te vota, keni cenuar dinjitetin e tij, keni shkelur garancitë kushtetuese dhe barazinë para ligjit.

Keni ndaluar besimin e qytetarit te vota, keni cenuar dinjitetin e tij, i keni vjedhur atij garancitë kushtetuese e barazinë para ligjit! Dhe po kaq e rëndësishme, duke bërë këtë, i keni mohuar vetes mundësinë të jeni njerëz të lirë. Sepse kur një sistem funksionon vetëm në një drejtim, as ju nuk jeni më përfaqësues. Jeni kthyer në peng të pushtetit që mendoni se keni. Në vend që të garonit me ide, garuat me presion. Në vend që të fitonit zemrat e qytetarëve, fituat frikën dhe urrejtjen e tyre.

Por urrejtja nuk ndërton paqe. Frika nuk ndërton demokraci. Frika ndërton heshtje. Dhe heshtja kolegë është fundi i përfaqësimit. Në një shoqëri demokratike, rrotacioni është shenjë shëndeti, jo krizë.

Sepse asnjë pushtet nuk është i përjetshëm. Asnjë manipulim nuk zgjat pafund. Dhe asnjë popull nuk hesht përgjithmonë Unë nuk flas sot në emër të një partie. Flas në emër të atyre qytetarve që votuan dhe nuk panë ndryshim. Në emër të atyre që nuk votuan, sepse nuk besuan më. Në emër të të rinjve që largohen nga vendi, jo sepse Shqipëria nuk ka bukuri, por sepse nuk ka mundësi reale për të ndryshuar me votë. Këto zgjedhje nuk e konfirmuan demokracinë. Ato e zhbënë atë

Dhe nëse nuk reagojmë sot, nëse e pranojmë këtë normalitet të rremë, nesër nuk do të kemi më as votime, as opozitë, as institucione.. Nuk ka Shqipëri pa demokraci. Nuk ka demokraci pa zgjedhje reale. Dhe nuk ka drejtësi, nëse heshtim përballë kësaj maskarade. Reflektoni dhe reagoni.   Do të jetë më mirë edhe për ju. Sepse jo vetëm demokratët, por edhe socialistët meritojnë të jetojnë në një vend të lirë, në një vend demokratik.

Top Channel