
Më datat 5 deri më 8 qershor në Tiranë zhvillohet Festivali Ndërkombëtar i Arkitekturës “Bread & Heart Festival”. Sot festivali startoi në orën 8:00, deri në orën 23:55.
Edicioni i parë i festivalit nën moton “Bukë dhe zemër/ Sillni pak kripë ju lutem”, mikson mikëpritjen shqiptare me një ftesë për dialog të hapur dhe një mundësi ndërlidhje mes arkitektëve botërorë dhe atyre shqiptarë.
Një festival mikpritjeje, arkitekture dhe dialogu mbi të ardhmen, ku vizionarët globalë dhe perspektivat lokale takohen, shkëmbejnë ide dhe frymëzojnë. Ky festival, i zhvilluar nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, nën kujdesin e kryeministrit Edi Rama është një event historik për Shqipërinë.
Event i cili do të sjellë në Shqipëri studiot më prestigjioze të arkitekturës dhe arkitektët më të njohur nga e gjithë bota, do të zhvillohet në “Book Building” në qendër të Tiranës, në sheshin “Skënderbej”.
Dita e hapur e festivalit do të jetë e ndarë në katër sesione, ku do të çelen ekspozita, do të zhvillohen konferenca. Vlen të theksohet se në këtë këtë festival do të ketë dhe performanca artistike.
Do të jenë mbi 150 grupe arkitektësh pjesëmarrës në këtë ngjarje historike në fushën e arkitekturës, të ardhur nga vende të ndryshme të botës. Grupet e arkitektëve që do të jenë pjesë e festivalit, janë të angazhuar në projekte që po zhvillohen në të gjithë Shqipërinë.
Organizatorët e festivalit ftojnë arkitektët botërorë pjesëmarrës të sjellin dhe një mik të ri në këtë event, ose siç thuhet në Shqipëri “sillni pak kripë” për “Bukë e zemër”.
Edicioni i parë i Festivalit Bukë & Zemër vendos themelet për atë që mund të bëhet një ngjarje bienale, një festë që nderon mikpritjen shqiptare (ALBAN-ITY) dhe zhvillimin e qëndrueshëm, çarjet, rrugëtimet, dhe guximin pas arkitekturës. Festivali nxit reflektim kritik mbi të kaluarën dhe të tashmen për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për qytetet dhe mjedisin tonë.
Top Channel