
Një operacion i Policisë së Elbasanit ka çuar në goditjen e një skeme të mirëorganizuar mashtrimi financiar, ku 7 fasoneri janë çuar qëllimisht në falimentim për të shmangur detyrimet tatimore.
Operacioni i koduar “Bankrupt”, çoi në arrestimin e katër personave. Mes të ndaluarve është edhe një shtetas italian, i cili u kap në tentativë për t’u larguar nga vendi, në Pikën Kufitare të Rinasit.
Të dyshuarit, me detyra administratore dhe ekonomiste në subjektet respektive, akuzohen për veprat penale “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Falimentimi i provokuar”, “Mashtrimi”, “Shpërdorimi i kompetencave” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Policia ka vendosur edhe sekuestro konservative mbi 7 kompanitë fasoneri të përfshira në skemë dhe mbi 12 llogari bankare në emër të këtyre subjekteve. Dyshohet se skema mashtruese është ndërtuar përmes çuarjes me qëllim në falimentim të këtyre kompanive, për të shmangur pagesat tatimore dhe për të zhdukur gjurmët e të ardhurave.
Hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë dhe për të dokumentuar në tërësi aktivitetin kriminal. Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Top Channel