Tragjike në Belgjikë! 12-vjeçari humb jetën gjatë ndjekjes policore, përplaset nga makina e uniformave blu

02/06/2025 22:40

Një ngjarje tragjike ka ndodhur të dielën pasdite në Bruksel, ku një djalë 12-vjeçar ka humbur jetën pasi u përfshi në një aksident me një automjet policie.

Mediat belge raportojnë se fëmija po udhëtonte me një skuter elektrik kur ndodhi ngjarja.

Sipas Zyrës së Prokurorisë së Brukselit, aksidenti ndodhi rreth orës 17:50 në komunën Ganshoren. Autoritetet konfirmuan se një automjet i policisë ishte i përfshirë në incident, ndërsa ende nuk janë zbardhur plotësisht rrethanat e sakta të ngjarjes.

“Një automjet policie u përfshi në aksident. Viktima është një fëmijë i lindur në vitin 2013, i cili ka ndërruar jetë”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.

Menjëherë pas ngjarjes, ekipet e emergjencës mbërritën në vendin e aksidentit dhe i dhanë ndihmën e parë fëmijës, i cili më pas u transportua me urgjencë në spital. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 12-vjeçari nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të rënda.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik, ndërsa autoritetet belge kanë nisur hetimet për të zbardhur nëse ndjekja policore dhe veprimet e oficerëve kanë qenë të justifikuara.

Top Channel