
Forcat zjarrfikëse të Fierit, Patosit, Roskovecit, punonjës të pyjores dhe banorë të zonës i janë bashkuar aksionit për shuarjen e flakëve në masivin pyjor të Darëzezës.
Zjarri i djeshëm masiv u shua mëngjesin e sotëm, por në mesditë vatrat e zjarrit u riaktivizuan duke u përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe të konsiderueshme.
Terreni i vështirë ranor e ka bërë të pamundur ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse duke detyruar efektivët të përdorin mjete rrethanore.
Ndërkohë bashkia Fier ka vënë në dispozicion edhe një traktor me zinxhir për hapjen e korridoreve. Riaktivizimi i vatrave të zjarrit në Darëzezë ka ndodhur paralelisht me një tjetër vatër zjarri në kodrat e Zhupanit ku edhe në këtë zonë ndërhyrja e mjeteve zjarrfikëse ka qenë e kufizuar. Burime pranë prefekturës Fier, bëjnë me dije se është bërë kërkesë për ndërhyrje nga ajri.
Sipas ministrisë së Mbrojtjes, në vendngjarje ndodhen 7 automjete zjarrfikëse me 40 efektivë të MZSH, një buldozer dhe një fadromë, por për shkak të terrenit ranor dhe përmasave të mëdha që ka marrë zjarri, situata në ekonominë pyjore të Darëzezës nuk është vënë ende nën kontroll.
Rreth orës 14:00, vatra e zjarrit është përhapur më tej dhe është bërë e pamundur ndërhyrja me mjete zjarrfikëse.
Në koordinim me Qendrës së Bashkuar Operacionale (QBO), është nisur në mbështetje helikopteri tip Cougar i Forcës Ajrore për ndërhyrje nga ajri.
Sipërfaqja e përfshirë nga flakët është rreth 10 hektarë, ndërsa era po favorizon avancimin e zjarrit në pjesën veriore të pyllit.
Top Channel