
Për herë të parë Tirana u bë pritësja e një ekspozite me emrat më të mëdhenj të artit modern si Metzinger, Modigliani dhe Van Dongen.
Kryeministri Edi Rama në një intervistë si rrallëherë për gazetaren Jetona Koçibellin, në “Exclusive”, foli për artin, pikturat dhe të bukurën.
Rama kujtoi dhe kohën e tij si student në Liceun Artistik, ku tha se veprat në ekspozitë i kujtojnë periudhën e rinisë së hershme.
“Këto janë vepra që mua më kujtojnë shumë dhe më bëjnë të afërt periudhën e rinisë së hershme, periudhën e mësimeve në Liceun Artistik. Ishin të ndaluara dhe kur ne e preknim këtë art përmes librave shumë të rrallë që qarkullonin në disa kanale të ngushta dhe spontane. Në këtë sens është shumë për mua kjo ekspozitë”, u shpreh kryeministri.
Teksa u ndal te roli i artisteve gra, kreu i qeverisë u shpreh se ‘ato vite janë të jashtëzakonshme në shumë aspekte’.
“Ato vite janë të jashtëzakonshme në shumë aspekte. Çfarë kjo pikturë pasqyron është shëmbëlltyrë e një tërësie moralesh e jetës së përditshme që u vu në pikëpyetje, një nga këto aspekte është ai i një hapi më tutje të grave të cilat ishin muzat e këtyre gjenive të mëdhenj. Kontekstet e muzave ishin të krijimtarisë, u afroheshin mjeshtërve për të treguar punën e tyre dhe kështu me radhë”, tha Rama.
Top Channel