
“Çështjet e pazgjidhura dypalëshe mund të përballohen dhe të zgjidhen”, ka theksuar ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë Igli Hasani në një intervistë për gazetën TA NEA, disa orë para vizitës së tij në Athinë dhe takimit me homologun grek Giorgos Gerapetritis.
I pyetur në se çështja e delimitimit të zonave detare (përcaktimit të kufijve mes dy territoreve) është në krye të agjendës së këtij takimi dhe në se hapi i mëtejshëm është siç është rënë dakord në vitin 2020 paraqitja e kësaj mosmarrëveshjeje në Hagë, Hasani ka garantuar se qeveria shqiptare në këtë mandat të katërt të qeverisë Rama mbetet e hapur dhe plotësisht e përkushtuar për të nxitur dialogun mbi të gjitha çështjet e pazgjidhura dypalëshe duke mos e përjashtuar si mundësi.
“Ne marrim pjesë në këto diskutime me respekt të ndërsjellë me qëllim arritjen e zgjidhjeve të drejta dhe të qëndrueshme që pasqyrojnë interesin tonë të përbashkët, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe stabilitetin rajonal nëpërmjet dialogut të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit konstruktiv. Unë besoj se është e mundur të adresohen të gjitha çështjet përkatëse në përputhje me normat ndërkombëtare, bazuar në lidhjet e qëndrueshme historike dhe afërsinë gjeografike që lidhin dy popujt tanë”- ka thënë ai.
Hasani ka thënë gjithashtu se marrëdhëniet shqiptaro-greke duhet të vazhdojnë të zhvillohen në një frymë pozitive dhe progresive, të rrënjosura në partneritetin strategjik të bashkëpunimit të ngushtë në NATO dhe ambiciet evropiane.
“Greqia mbetet një partner i rëndësishëm për Shqipërinë. Dy popujt tanë kanë jetuar krah për krah për shekuj, duke ndarë kufij, përvoja dhe shkëmbime të panumërta shoqërore dhe kulturore. Kjo afërsi ka ndezur një lidhje të thellë njerëzore që tejkalon politikën dhe nënvizon rëndësinë e zgjidhjes së të gjitha çështjeve të pazgjidhura përmes dialogut”, shprehet më tej ministri Hasani.
Sipas kryediplomatit shqiptar, kjo vizitë në Athinë është një mundësi për të ndërtuar mbi këto themele dhe për të riafirmuar angazhimin e ndërsjellë për një dialog të hapur konstruktiv dhe të vazhdueshëm. Ai ka nënvizuar gjithashtu se Tirana vlerëson veçanërisht mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë për integrimin evropian të Shqipërisë, bashkëpunimin në energji, tregti, iniciativa rajonale dhe platforma shumëpalëshe ,ndërsa ekziston një potencial i madh për thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.
Sa i përket pranimit të Shqipërisë në BE deri në 2030, ministri i Hasani ka thënë se Shqipëria është plotësisht në rrugën e duhur drejt anëtarësimit, pas reformave të gjera, ndërsa ndodhet në një fazë vendimtare të procesit të anëtarësimit me katër grupe negociuese që tashmë kanë hapur progresin në fusha kyçe si sundimi i ligjit, qeverisja demokratike dhe administrata publike, të cilat kanë hedhur një themel të fortë.
“Ne mbetemi të përkushtuar për përshpejtimin e reformave, veçanërisht në integritetin e gjyqësorit, periudhën ekonomike gjashtëvjeçare dhe forcimin e institucioneve, qëllimi ynë është të fillojmë së shpejti mbylljen e kapitujve për negociata të plota deri në vitin 2027, duke e përgatitur Shqipërinë për anëtarësim deri në vitin 2030”, ka thënë ai.
I pyetur se ku bazohet përqindja e lartë e votave që siguroi Rama nga emigrantët shqiptarë në Greqi në zgjedhjet e 11 Majit ,ai tha se ky fakt pasqyron besimin e tyre të vazhdueshëm në udhëheqjen e kryeministrit shqiptar, angazhimin e qeverisë për reforma thelbësore dhe vizionin e përbashkët për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
Top Channel