
Në një deklaratë të ashpër në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ambasadori rus, Vassily Nebenzia, theksoi se një marrëveshje armëpushimi nuk do të mjaftonte për t’i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës.
Ai e quajti një armëpushim vetëm një hap të përkohshëm, duke shtuar se për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme të krizës, duhet adresuar “shkaqet rrënjësore” të konfliktit.
“Ne do të vazhdojmë të luftojmë për aq kohë sa të duhet”, tha Nebenzia, duke sinjalizuar se Rusia nuk ka ndërmend të ndalë agresionin ndaj Ukrainës në afat të shpejtë.
Ai shtoi se mund të shkëmbehen memorandume mbi qasjet e të dyja palëve për procesin e negociatave, por theksoi se çdo marrëveshje pa adresimin e shkaqeve themelore të krizës nuk do të jetë e mjaftueshme.
Reagimi i Ukrainës ka qenë i ashpër. Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, e ka quajtur këtë retorikë luftarake të Rusisë si një “shuplakë për të gjithë ata që promovojnë paqen”.
Ai theksoi se ndërkohë që bota e tërë kërkon ndalimin e menjëhershëm të dhunës dhe fillimin e një diplomacie të sinqertë, Rusia vazhdon të përdorë forumet ndërkombëtare për të shpërndarë një mesazh të rrezikshëm dhe të padrejtë.
Sybiha, i cili u shpreh në rrjetin social X (ish-Twitter), theksoi se ky veprim i Rusisë është një kërcënim për të gjithë ata që po përpiqen të arrihet një marrëveshje paqeje, duke përfshirë edhe shtetet si Shtetet e Bashkuara, vendet evropiane, Kina, Brazili dhe të tjerë që kërkojnë një zgjidhje paqësore.
“Ne kërkojmë një përgjigje ndaj deklaratave arrogante të Rusisë, të cilat minojnë çdo mundësi për një proces të vërtetë paqeje”, tha Sybiha.
Deklaratat e ambasadorit rus vijnë në një kohë kur tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës janë më të larta se kurrë, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vazhdon të shpresojë për një përpjekje të re diplomatike për të arritur një marrëveshje armëpushimi dhe për të shpëtuar jetët e të pafajshmëve.
Top Channel