
Në fshatin e qershive, në Godolesh të Elbasanit edhe pse ndodhet vetëm 4 km larg qytetit, rruga e keqe i detyron shumë fermerë që transportin e qershive për në treg ta bëjnë me kafshë, të pakët janë që posedojnë një fuoristradë.
Qershia autoktone e Godoleshit, këtë vit u ka siguruar çmimin më të mirë gjatë këtyre 30 viteve. Kushtet klimaterike kanë bërë që në vendet e tjera të qershive si Dibër, Korçë, dhe Berat prodhimi të jetë shumë i dobët këtë sezon, por kërkesat e larta në treg dhe mungesa e prodhimit ka sjellë rritje të çmimit të këtij fruti ku një kilogram qershie tek fermerët sot blihet nga 250-500 lekë.
“Në fillim kisha 750 rrënjë, por më pas i bëra 1500 rrënjë, moti i keq në vendet e tjera që kanë qershi solli dëmtime të prodhimit për pasojë ne na siguroi çmimin e mirë, dhe jemi shumë të kënaqur. Cilësia e mirë e qershisë së Godoleshit bënë që tregtarët të vijnë tek ne”, tha fermeri Xhevahir Ademi.
“Vijnë tregtarët tek qershia dhe jo ne tek tregu. Kemi qershi super”, deklaroi fermeri.
Xhevahit Ademi, nga babi trashëgoi 750 rrënjë qershi, dikur kjo pasuri nuk i dukej me leverdi, për këtë arsye ai emigroi drejtë Greqisë, ku dhe punoi në sektorin e bujqësisë, por që pronari i tij grek që e ktheu në vendlindje duke i thënë se qershia e Shqipërisë mund t’i siguronte një jetë shumë të mirë se sa ajo e mërgimtarit.
“Do të shtoj sipërfaqen e qershive kam dëshirë që të arrij 2500 rrënjë, më këtë frut bëj një jetë shumë të mirë dhe nuk më mungon asgjë”, deklaroi fermeri.
Top Channel