Bardhit nuk i ikën inati, i drejtohet Spiropalit: Nuk do të jesh më këtu, do zëvendësohesh nga Zegjineja

29/05/2025 13:00

Gjatë Konferencës së Kryetarëve, demokrati Gazment Bardhi ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së organizimit të punimeve të Kuvendit dhe mënyrës së vendimmarrjes nga mazhoranca.

Marrë shkasë nga seanca që pritet të mbahet sot në orën 12:00, Bardhi shprehet se nuk është caktuar asnjë çështje jashtë rendit të ditës, ndërsa kujton se e garanton rregullorja e Kuvendit këtë gjë.

E keni kthyer Kuvendin në pronë private.

Vini këtu sikur jeni kthyer nga Suedia, kur në fakt jeni kthyer nga një llum që e keni krijuar vetë me duart tuaja. Keni caktuar një seancë turpi, vetëm për të bërë një foto aty. Nuk keni caktuar dhe nuk keni lënë asnjë çështje jashtë rendit të ditës. Këtë e garanton Rregullorja e Kuvendit.

Unë e kuptoj që ju nuk doni debat, sepse doni ta trajtoni situatën sikur jeni kthyer nga pushimet, ndërkohë që në fakt jeni kthyer nga drejtimi i një organizate të strukturuar kriminale, ku vodhët dhe dhunuat zgjedhjet, duke e krahasuar Shqipërinë me Rusinë.

Nuk mund ta trajtoni Kuvendin si pronë private, as vendin si një realitet normal. Siç e thotë edhe OSBE-ja, ju keni shkallmuar barazinë në zgjedhje dhe keni rrëzuar nenin 1 të Kushtetutës.

E përsëris: ju doni që Shqipëria të krahasohet me Rusinë apo me Serbinë.”, shprehet ai.

Më pas Bardhi i ka thënë Spiropalit: Nuk do të jesh më këtu, do të zëvendësohesh nga Zegjine Balluku.

Gazment Bardhi ka depozituar kërkesë urgjente për ndryshimin e rendit të ditës.

Top Channel