Lumi Vjosa është më pranë se kurrë përfshirjes në listën prestigjioze të UNESCO-s, si pjesë e Rrjetit të Rezervave të Biosferës, pas një suksesi të rëndësishëm këtë javë.

Komiteti Ndërkombëtar i Këshillit për Rezervat e Biosferës ka miratuar dosjen e aplikimit, duke hapur rrugën për vendimin përfundimtar që pritet të merret në shtator 2025, gjatë Sesionit të 37-të të programit MAB (Njeriu dhe Biosfera).

Lajmin e ka konfirmuar zyrtarisht Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila në një reagim publik u shpreh se ky është një hap thelbësor në drejtim të njohjes ndërkombëtare të vlerave unike natyrore dhe kulturore të lumit të fundit të egër në Europë.

“Është më shumë se një vlerësim ndërkombëtar – është njohja ndaj bukurisë së egër të Vjosës, mirënjohja për njerëzit që jetojnë në harmoni me natyrën dhe për përpjekjet e përbashkëta për ta mbrojtur. Vjosa sot nuk është vetëm një lumë – është një model i zhvillimit të qëndrueshëm”, tha Kumbaro.

Procesi i aplikimit për përfshirjen e Luginës së Vjosës në UNESCO ka kaluar përmes një pune të gjatë dhe të koordinuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) dhe Komisioni Kombëtar Shqiptar për UNESCO-n.

Ky përkushtim u konkretizua që prej vizitës së Drejtoreshës së Përgjithshme të UNESCO-s, Audrey Azoulay, në shkurt të vitit 2023, e deri në shqyrtimin teknik të detajuar të dosjes në shkurt 2025.

Në datat 17–21 shkurt 2025, gjatë takimit të 31-të të Komitetit Ndërkombëtar të Këshillit për Rezervat e Biosferës, Departamenti i Shkencave Ekologjike dhe të Tokës pranë UNESCO-s konkludoi se dosja e Vjosës përmbush kriteret dhe rekomandoi miratimin përfundimtar.

Nëse gjithçka shkon sipas pritshmërive, në shtator 2025 Vjosa do të shpallet zyrtarisht Rezervat i Biosferës në listën e UNESCO-s, duke forcuar statusin e saj si simbol i mbrojtjes së natyrës në Europë dhe model i bashkëjetesës së komuniteteve me mjedisin.

Top Channel