Fermerët nuk heqin dorë nga gruri! Konkurrencë e ashpër me drithin e importuar, por në Fier ende e kultivojnë në sipërfaqe të mëdha

25/05/2025 20:10

Pavarësisht sfidave të shumta, si kostot e larta të prodhimit dhe konkurrenca e ashpër me drithin e importuar, fermerët e Myzeqesë vijojnë të mbeten të përkushtuar ndaj bujqësisë dhe veçanërisht ndaj kultivimit të drithërave.

Fermeri Ismet Gega nga Levani i Fierit, i cili prej më shumë se 30 vitesh kultivon mbi 100 hektarë tokë, nga këto rreth 60 hektarë janë të mbjella me grurë dhe misër dhe pjesa tjetër shfrytëzohet për foragjere.

Fermeri kujton se disa vite më parë, sipërfaqet me drithëra kanë qenë edhe më të mëdha. Arsyeja kryesore ishte çmimi i favorshëm që mundësonte një fitim të kënaqshëm. Por sot, shumë fermerë janë detyruar të pakësojnë prodhimin, pasi përballen me vështirësi serioze për të shitur prodhimin e tyre, shpesh edhe nën koston e prodhimit. Kjo situatë vjen për shkak të mungesës së pikave të grumbullimit, çka i detyron fermerët të shesin me çmime shumë të ulëta, pasi nuk kanë kushte për magazinim dhe ruajtje të prodhimit.

Edhe pse këtë vit prodhimi duket i mbarë dhe me rendiment të lartë, shqetësimi për çmimin mbetet. Ismet Gega shpreson që këtë vit të ketë një çmim të drejtë për prodhimin e tij, por thekson se për këtë është e domosdoshme ndërhyrja e shtetit.

Ai apelon për ndalimin apo kufizimin e importit të drithit gjatë sezonit të korrjeve, në mënyrë që të mbrohet prodhimi vendas dhe të mos zhgënjehen fermerët që vazhdojnë të investojnë në këtë sektor.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta