
Prodhimi i energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme ka pësuar një rritje të konsiderueshme edhe në vitin 2025.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se prodhimi nga centralet fotovoltaike gjatë tremujorit të parë arriti në 176 mijë e 381 MWh, 2.5 herë më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas ekspertëve të energjisë, ndikim të ndjeshëm ka dhënë prodhimi në centralin e Karavastasë.
Eduard Elezi, ekspert i energjisë: “Kemi një rritje të prodhimit vendas të energjisë. Kemi një rritje të konsumit të energjisë nga familjarët, pasi tremujori i parë është një periudhë ku familjarët konsumojnë më shumë energji për shkak të temperaturave të ulëta dhe në Shqipëri nuk kemi alternativë tjetër ngrohjeje.”
Në total, sasia e energjisë elektrike të prodhuar përgjatë këtij tremujori, sipas INSTAT, përllogaritet në rreth 2.23 milionë MWh, duke shënuar një rënie prej 9.8% krahasuar me një vit më parë. Kjo është pasojë e temperaturave të larta që prekën vendin. Më së shumti, prodhimi u realizua nga hidrocentralet publike në masën 45.8% dhe nga hidrocentralet private e koncesionare në masën 46.3%.
Eduard Elezi, ekspert i energjisë: “Energjia elektrike përbën 99% të nevojës së konsumatorit familjar. Po të shohësh prodhimin e hidrocentraleve publike dhe atyre private, është pothuajse i barabartë. Investimet e kryera në sektorin privat janë rezultative dhe arrijnë barazinë me ato publike.”
Konsumatorët familjarë rritën ndjeshëm konsumin këtë fillimvit, duke arritur vlerën 1.791 GWh. Ndërkohë, humbjet në rrjet vijuan rënien, duke zbritur në 21.1% të totalit të energjisë.
Top Channel