
Një aksident është shënuar mëngjesin e sotëm në vendin e quajtur “Ura e Sheqit” në Fier, ku autobusi i linjës Fier–Libofshë ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një automjet të policisë bashkiake.
Si pasojë e përplasjes, disa persona kanë mbetur të lënduar lehtë dhe janë transportuar menjëherë drejt Spitalit Rajonal Fier për të marrë ndihmën mjekësore.
Në vendngjarje ndodhet policia dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të zbardhur shkaqet e aksidentit.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se autobusi i ka prerë rrugën automjetit të policisë bashkiake, duke përfunduar më pas në murin rrethues të një ish-kompleksi dyqanesh.
“Rreth orës 08:00, në fshatin Çerven, shtetasi O. H., 23 vjeç, duke drejtuar motomjetin, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e motomjetit dhe për pasojë ka dalë nga rruga. 23-vjeçari është dëmtuar dhe ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
-Rreth orës 08:30, në vendin e quajtur “Rotondo Sheqit”, automjeti tip autobus me drejtues shtetasin M. S., është përplasur me automjetin e policisë bashkiake me drejtues shtetasin M. J.
Si pasojë e përplasjes, është dëmtuar shtetasi M. J., dhe tre pasagjere të mitura që udhëtonin me autobus, 16 vjeçe, 15 vjeçe dhe 14 vjeçe, të cilat po kryejnë ekzaminimet mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.
Grupet hetimore ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të rasteve”, sipas njoftimit të policisë.
Top Channel