
Napoli është vetëm një hap larg titullit të katërt në historinë e tij, dhe qyteti është gati të shpërthejë në festë.
Në rast fitoreje kundër Cagliarit këtë të premte, ekipi do të përshëndesë tifozët në një paradë madhështore me dy autobusë me çati të hapur përgjatë bregdetit të famshëm të Caracciolo-s.
Këshilli Bashkiak i Napolit, me propozimin e kryetarit të bashkisë Gaetano Manfredi, ka miratuar një plan të detajuar për organizimin e festimeve që pritet të zhvillohen të hënën, edhe pse data ende nuk është zyrtarizuar.
Traseja e paradës do të jetë rreth 2.5 kilometra e gjatë dhe do të rrethohet për arsye sigurie, ndërsa katër ekrane të mëdhenj do të vendosen për të mundësuar ndjekjen e festimeve edhe për ata që nuk mund të jenë fizikisht në bregdet.
Sipas La Repubblica, ceremonia do të nisë me mbërritjen e skuadrës nga deti, përmes ankorimit në skelën e Mergellinës, për të vijuar më pas me paradën përgjatë Lungomare-s.
Qyteti ka ndarë 500 mijë euro për realizimin e këtij eventi historik, fond që do të shfrytëzohet edhe për ngritjen e tre ekraneve të mëdha ku do të transmetohet ndeshja e së premtes me Cagliarin në stadiumin “Diego Armando Maradona”. Këto do të vendosen në Piazza Plebiscito, Piazza Mercato dhe Piazza Giovanni Paolo II në Scampia.
Ndërkohë, Prefekti i Napolit, Michele di Bari, ka lëshuar një urdhëresë për transmetimin e drejtpërdrejtë të ndeshjes në këto dhe në sheshet kryesore të 53 komunave në gjithë provincën.
“Kjo masë është marrë në përputhje me rekomandimet e Komitetit për Rendin dhe Sigurinë Publike, në bashkëpunim me Ligën Serie A dhe platformën DAZN, për të garantuar që sa më shumë qytetarë të ndjekin ngjarjen në mënyrë të sigurt,” thuhet në deklaratë.
“Pasioni për Napolin është i jashtëzakonshëm jo vetëm në qytet, por në të gjithë zonën metropolitane. Qëllimi ynë është që çdo qytetar ta përjetojë këtë moment historik në një atmosferë të bashkuar dhe të sigurt me komunitetin e tij”, u shpreh kryetari i bashkisë Manfredi.
Napoli, që aktualisht kryeson me një pikë më shumë se Interi dhe vetëm një javë lojë të mbetur, është në prag të një momenti që pritet të mbetet gjatë në kujtesën e tifozëve dhe historinë e klubit.
Top Channel