Izrael-BE, “krisja e madhe”? Shumica e vendeve anëtare të bllokut i kthehen kundër Tel Avivit

23/05/2025 14:33

Pas vrasjes së dy diplomatëve izraelite në zemër të Washingtonit, dy ministra të qeverisë Netanyahu shprehën zemërim edhe për qëndrimin e BE-së.

Në fakt, duket se gjithmonë e më shumë shtete europiane nuk janë më të gatshme të pranojnë veprimet e tij në Rripin e Gazës, e kjo ka acaruar Tel Avivin.

Bashkimi Evropian ka mbajtur marrëdhënie të veçanta me Izraelin prej gati një çerek shekulli. Partneriteti bazohet në Marrëveshjen e Asociimit, e cila hyri në fuqi në qershor të vitit 2000.

Por vetëm pak ditë para përvjetorit të saj, marrëveshja po vihet nën shqyrtim, dhe mediat gjermane e cilësojnë si më të diskutueshme se kurrë.

Shkak i kësaj krisjeje është bërë situata humanitare në Rripin e Gazës. Politika e bllokadës e qeverisë Netanyahu ka çuar në një rënie të numrit të qeverive që mbështesin Izraelin midis anëtarëve të BE-së.

Numri i vendeve që nuk duan më të qëndrojnë duarkryq dhe kërkojnë pasoja tani përbën pothuajse dy të tretat e 27 shteteve anëtare.

Ky ishte përfundimi në të cilin arriti përfaqësuesja e Jashtme e BE-së, Kaja Kallas, pas asaj që ajo e përshkroi si një “debat shumë, shumë intensiv” me ministrat e Jashtëm të BE. Edhe pse Kallasi pranoi shpërndarjen e fundit të ndihmës humanitare nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, ajo e quajti atë një “pikë në oqean”.

Situata në Gaza mbetet katastrofike. Ministri i Jashtëm holandez, Caspar Feldkamp, kishte sugjeruar më parë që marrëveshja e asociimit me Izraelin të rishikohet.

Thelbi i marrëveshjes është tregtia e pakufizuar me kufizimet më të pakta të mundshme në lëvizjen e mallrave, d.m.th., qasja në treg dhe pjesëmarrja e Izraelit në programet e BE.

Megjithatë, një komponent kyç i marrëveshjes është edhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, të cilat dyshohet se po shkelen nga Izraeli në Gaza.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta