Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan tha se mund të vizitojë SHBA-në dhe shpreson të zhvillojë një takim ballë për ballë me presidentin amerikan Donald Trump.

Duke folur me gazetarët gjatë fluturimit të kthimit nga Hungaria të enjten, pas një samiti joformal të Organizatës së Shteteve Turke në Budapest, Erdogan foli mbi një sërë çështjesh të politikës së jashtme, përfshirë Sirinë dhe luftën në Gaza.

“Ndoshta mund të udhëtoj për në SHBA. Mendoj se do të kemi shans për t’u takuar ballë për ballë me Trumpin”, tha presidenti turk, shkruan AA.

Erdogan përshëndeti vendimet e fundit ndërkombëtare për të hequr sanksionet ndaj Sirisë, duke e quajtur këtë zhvillim “një hap vendimtar drejt stabilitetit” në vendin e shkatërruar nga lufta dhe duke thënë se kjo pasqyron suksesin e “diplomacisë konstruktive” të Turqisë.

Lidhur me integrimin e YPG-së, degës siriane të grupit PKK, në kuadrin e ri sirian, ai tha se Turqia po e monitoron nga afër situatën.

“Është thelbësore që qeveria e Damaskut të mbetet e përqendruar në këtë”, shtoi ai.

Ndërkohë, Departamenti i Shtetit i SHBA-së ka theksuar atë që e ka quajtur “epokë të re partneriteti” në marrëdhëniet Turqi-SHBA pas një takimi të martën të Grupit të Punës Turqi-SHBA për Sirinë në Washington.

Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar pas takimit të Grupit të Punës për Sirinë u tha se Turqia dhe SHBA-ja janë të përkushtuara për të rritur bashkëpunimin dhe koordinimin mbi stabilitetin dhe sigurinë në Siri, siç është përcaktuar nga Erdogan dhe Trump.

Lidhur me luftën në Gaza, Erdogan theksoi se Izraeli po izolohet gjithnjë e më shumë në skenën botërore për shkak të veprimeve të tij dhe vuri në dukje atë që ai e quajti një “zgjim në rritje” në Evropë kundër veprimeve izraelite – megjithëse vuri në dukje se një ndryshim i tillë ka ardhur vonë.

“Historia do t’i mbajë përgjegjës ata që dështuan në provimin e Gazës. Turqia ka qëndruar fort në anën e njerëzisë dhe dinjitetit njerëzor dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë”.

Ai e përshkroi krizën në Gaza si më shumë sesa një katastrofë humanitare, duke e quajtur atë “një provë të sinqeritetit të sistemit ndërkombëtar” në të cilën institucionet perëndimore kanë dështuar.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta