Vlora qytet edhe për emigrantët, vetëm në fillim të 2025 ka 4000 kërkesa për leje qëndrimi dhe pune nga shtetas të huaj

21/05/2025 12:44

Viti 2025 ka sjellë një rritje të ndjeshme të kërkesave për vende pune në sektorin e turizmit në qytetet bregdetare si Vlora dhe Saranda.

Zyrat e punës në këto qytete kanë shpallur dhjetëra vende të lira në pozicione si kamerierë, kuzhinierë, recepsionistë dhe punëtorë sezonalë, duke reflektuar rritjen e fluksit turistik dhe nevojën për fuqi punëtore.

Ajo që bie në sy këtë sezon është pjesëmarrja e shtuar e të huajve në tregun e punës. Punonjës nga vende të ndryshme si Filipinet, India, Italia po kontribuojnë në mbulimin e kërkesës për staf në sektorin e shërbimeve.

Krahasuar me vitin e kaluar, për të njëjtën periudhë kohore, kërkesat për punësim janë shumë më të larta, çka tregon për një sezon veror më intensiv dhe më të kërkuar nga ana e punëdhënësve.

Ndërkohë, në Zyrën e Migracionit pranë Policisë Kufitare të Vlorës, është vënë re një rritje e vazhdueshme e numrit të shtetasve të huaj që kërkojnë leje qëndrimi, rinovim apo regjistrim.

Çdo ditë, dhjetëra aplikime dorëzohen nga qytetarë të huaj, kryesisht nga Italia, Filipinet, India, por edhe nga vende si Ukraina, Bjellorusia, Rusia, SHBA dhe të tjera. Vitin e kaluar kërkesat për leje qëndrimi ishin 1900 persona të huaj, ndërsa këtë vit vërehet rritje, pasi deri më tani janë 4000 kërkesa për leje qëndrimi.

“Vij nga Zvicra. Kemi qenë një herë këtu me pushime dhe na ka pëlqyer shumë, sidomos deti që në Zvicër nuk e kemi, klima dhe mbi të gjitha njerëzit. Aty nisëm të mendonim se ishte një ide shumë e mirë për të jetuar në Vlorë dhe ja ku jemi. Po jetojmë këtu bashkë me mamanë. Me ndërtimin e aeroportit do të jetë më e lehtë për ne për të udhëtuar”, tha një vajzë nga Zvicra.

“Jam nga Bjellorusia, më pëlqen të jetoj këtu, më pëlqen deti, qyteti i Vlorës dhe njerëzit”, u shpreh një vajzë nga Bjellorusia.

“Jam nga Bjellorusia dhe jetoja në Amerike, derisa njoha Vlorën. Vendosa të jetoj këtu për shumë arsye. Vlora është një qytet me pak njerëz dhe shumë hapësirë, taksa të ulëta dhe në veçanti njerëzit janë shumë të mirë. I vetmi problem janë mbeturinat dhe kjo nuk është një pamje e mirë për turistët”, tha një djalë bjellorus që jetonte në Amerikë

Kjo prani gjithnjë në rritje e të huajve dhe dinamika e re në tregun e punës e pozicionon Shqipërinë si një destinacion gjithnjë e më të rëndësishëm, jo vetëm për turizëm, por edhe për mundësi punësimi.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta