
Një incident i pazakontë ka ndodhur në Bilbao, ku një qytetar vendas u përplas me tifozë të Manchester United, duke u përballur me njëri prej tyre nga ballkoni i shtëpisë së tij, ndërsa tundte një shkop për ta trembur.
Pamje të publikuara në rrjet tregojnë momentin kur burri, i irrituar nga entuziazmi i tifozëve britanikë, duket se kërcënon një tifoz të “Djajve të Kuq” i cili po ecte nëpër skela, pasi kishte varur një flamur në ballkon së bashku me një shok.
Banori ngre shkopin lart, duke simuluar një goditje ndaj tifozit, i cili reagon duke ngritur duart për t’u mbrojtur, megjithëse me një buzëqeshje nervoze në fytyrë.
The locals have had enough of Man Utd flags being hung on their balcony…
18+ GambleAware pic.twitter.com/WpPvmun9Fq
— Paddy Power (@paddypower) May 21, 2025
Një tjetër tifoz i Manchester United përpiqet të kalojë në afërsi të banorit të zemëruar, ndërsa ky i fundit duket se i afrohet fizikisht me shkopin në dorë, duke e “shpuar” lehtë me majën e tij.
Tensioni vjen në një kohë kur rreth 70,000 tifozë britanikë kanë mbushur qytetin spanjoll për ndeshjen e shumëpritur të finales së Europa League, mes Tottenham Hotspur dhe Manchester United. Prania masive e tifozëve, zhurma dhe flamujt e vendosur në ndërtesat e qytetit duket se kanë shkaktuar pakënaqësi te disa banorë vendas.
Ndërkohë, rrugët dhe baret e Bilbaos janë pushtuar nga mijëra tifozë të veshur me bluza të kuqe, që këndojnë dhe festojnë para përballjes së madhe. Të dyja kampet e tifozëve janë parë duke marshuar në qytet me pije në dorë dhe këngë në gojë, duke krijuar një atmosferë elektrizuese.
Për të mbërritur në Spanjë, disa tifozë kanë ndërmarrë udhëtime të gjata me traget, që kanë zgjatur mbi 32 orë, për shkak të çmimeve të larta të fluturimeve – të cilat arritën mbi 1,000 paund pas kualifikimit të ekipeve në finale. Për shumë prej tyre, udhëtimi me traget ishte zgjidhja më ekonomike, me një kosto prej 260 paund për kabinë.
Top Channel