
Një tjetër gur në mozaikun e të penduarve të drejtësisë u vendos nga Enver Jamaku, një emër që deri në shkurtin e vitit 2020 ishte thjesht një figurë e heshtur në botën e krimit.
Pas arrestimit zgjodhi të flasë.
“Për të provuar vërtetësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, sidomos në rastet e organizatave kriminale ose organizatave terroriste bashkëpunëtori i drejtësisë thirret si dëshmitar dhe mund të përballet dhe ballafaqohet pikërisht me anëtarët e tjerë të grupit kriminal që do të thotë ka një ballafaqim” u shpreh Artur Prenga, ZV/Kryetar i Gjykatës Elbasan.
“Nuk mund të bësh të penduar dhe nuk ka leverdi shteti të bëjë të penduar një person të akuzuar për krime ordinere. Sigurisht në rast se funksionojnë të gjithë mekanizmat e tjerë të provueshmërisë së një çështje penale, i penduari merr një rëndësi më të vogël, por në krimin e organizuar kur i penduari të çel të tjera portat në marrjen e provave të tjera është i rëndësishëm” u shpreh Eugen Beci, ish prokuror
Dëshmia e tij i hapi rrugë një prej operacioneve më të mëdha kundër armatimeve në kryeqytet. Brenda pak ditësh, policia çmontoi një rrjet të tërë trafikantësh, arrestoi 9 persona, shpalli në kërkim 2 të tjerë dhe zbuloi plot 20 depo armësh, të fshehura në ndërtesa banimi, garazhe e magazina në kryeqytet.
“Që prej 2016-s, jam marrë me shitje armësh. Fillimisht me Dervish Hasin, më pas me Olgert Hysën dhe Sokol Xhurën. I blinim për 150 mijë lekë, i modifikonim në uzinë dhe i shisnim deri në 1800 euro copën. Në garazhet e tyre pashë dhjetëra kallashnikovë, snajperi, e mitraloz. Kishin edhe tunel të fshehtë. Silenciatorët vinin nga Amerika, armët i shkurtonim, i bënim me porosi. Fitimet i investova në një lokal në Zall Bastar”.
“Nëse një dëshmitar drejtësie ka patur një aktivitet të gjatë kriminal, patjetër që shtrirja në kohë ka bërë që ata të kenë dijeni për më shumë vepra penale. Të kenë dijeni për më shumë persona të përfshirë në aktivitete kriminale, dhe të japim një kontribut më të madh në hetimin e këtyre procedimeve penale, pjesë e të cilave këta dëshmitar kanë pranuar të bashkëpunoj me drejtësinë” u shpreh Vladimir Mara, prokuror i SPAK.
Jamaku nuk ndaloi me aq. Në rrëfimet e tij, tregoi edhe skenarin e dy atentateve mafioze me tritol, që tronditën Tiranën: njëri ndaj biznesmenit Gjon Mena, ku fati e ndau nga vdekja në sekondat e fundit, dhe tjetri ndaj të shumëkërkuarit, Domart Konjari. Ky i fundit, njihet si rival i të fortit Devi Kasmi, i ekzekutuar disa vite më herët nga një vrasës me pagesë nga Greqia. Në atentatin ndaj Konjarit, u plagos kunati i tij Artion Bylyku.
Në 2019-n më thërret Flori Abazi, më çon tek Blendi, dhe më ofrojnë 300 mijë euro për të vrarë dikë që kishte vrarë një shok të Bled Prengës. Devi Kasmin. Nëse nuk vdiste, thanë: ‘shtëpinë do ta kesh gjithsesi’. Më dërguan foto, ishte Domart Konjari. E ndoqa për dy muaj. Ishte gjithmonë me Artjon Bylykun, në të njëjtën makinë, me targa që mbanin tre 1-sha. Rrinin me kapele me strehë, gjatë ndjekjes mësova hotelin ku rrinte, shtëpinë te Siri Kodra, dhe vendet ku ndalonte në Laprakë.”
Enver Jamaku nuk nxori vetëm emra, por çmontoi rrjete të tëra mbi trafikun e armëve dhe atentatet e porositura, që prej vitesh furnizonin botën e krimit.
“Kur përfitimi nga ulja e dënimit apo përjashtimi i dënimit për bashkëpunonin e drejtësisë ka disa kritere te cilat zbatohen si nga prokuroria si nga gjykata dhe kryesisht kanë të bëjnë në rolin që ka dhënë bashkëpunëtori i drejtësisë në zbulimin e faktit, në zbulimin e autorëve, kontributin që jep ai në provueshmërinë, që do të thotë prova që dëshmia e dhënë nga ai të jetë vendimtare” u shpreh Artur Prenga, ZV/Kryetar i Gjykatës Elbasan.
“Për shkak të marrëveshjes që këta kanë lidhur me organin e prokurorisë dhe mbrojtjen e dëshmitarëve këta janë të monitoruar gjatë gjithë periudhës që janë në këtë marrëveshje. Teorikisht dhe praktikisht është e pamundur që këta personazhe ti rikthehen sërish jetës që kanë kryer më përpara’ u shpreh Artan Simoni, avokat i Nuredin Dumanit.
Top Channel