
Tre persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi stuhitë e forta shkaktuan përmbytje në rajonin Var të Francës juglindore, sipas mediave franceze.
Dy nga viktimat ishin një çift i moshuar që ishin në makinën e tyre kur ajo u rrëmbye nga ujërat në qytetin bregdetar Le Lavandou, sipas France 24.
Shiu ka shkaktuar gjithashtu dëme të mëdha, pasi Meteo-France, shërbimi kombëtar i motit, e vendosi rajonin në një alarm portokalli për shi, përmbytje dhe stuhi.
Ndërkohë, autoritetet lokale thanë rreth orës 14:30 se një person u gjet i mbytur në automjetin e tij në komunën Vidouban. Lavandou dhe komuna Bormes-le-Mimosas u prekën shumë nga stuhitë.
“Rrugët u shkatërruan, urat, trotuaret, nuk ka më energji elektrike, ujë apo impiant për ujërat të zeza. Tronditja është e konsiderueshme sepse fenomeni është vërtet i dhunshëm dhe i pakuptueshëm. Në momentin që po flasim, një pjesë e komunitetit është e paarritshme”, tha Gilles Bernardi, kryebashkiak i Levantos.
Ndërprerje të energjisë elektrike dhe ujit u raportuan gjithashtu në qytetin e Cavalier, ku ranë 250 milimetra shi në një orë. Një parking në qytet u shemb dhe dhjetëra njerëz u shpëtuan, sipas autoriteteve.
Rreth 200 zjarrfikës dhe 35 oficerë policie thuhet se po i përgjigjen përmbytjeve në Var. Meteo-France kishte regjistruar reshje totale që tejkalonin 10 centimetra deri në orën 10 të mëngjesit sipas kohës lokale.
Top Channel