
246.65 miliardë lekë janë arkëtuar në buxhetin e shtetit në 4 muajt e parë të vitit.
Rritja e të ardhurave me një nivel 6.2% sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë ka ardhur kryesisht nga kontributet.
Tatimi mbi të ardhurat personale grumbulloi 27.2 miliardë lekë. Ndërsa të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore u realizuan në masën 59.3 miliardë lekë.
“Për fat të keq kjo nuk është shenjë e mirë që ekonomia të varet nga pagesat e detyrueshme tendenca është të rriten pagat me ligje. Dhe jo si pasojë e rritjes së produktiviteti që tregon se ekonomia shqiptare është e sforcuar.”, tha Klodjan Muço, ekspert ekonomie.
Një rritje e konsumit edhe si pasojë e ecurisë së turizmit në vend ka bërë që më shumë para në arkën e shtetit në 4 muaj, të mblidhen nga akciza dhe TVSH në import, me përkatësisht 20 mld lekë dhe 48.8 mld lekë. Ndërsa taksat doganore dhe renta minerare kontribuuan me 2.8 miliardë dhe 786 milionë lekë.
“Të ardhurat nga akciza janë shumë të larta se 4 muajt e parë të vitit të kaluar që tregon se kanë një tendencë rritëse. Dhe TVSH në import është në rritje që tregon se ka patur stimul të rritjes së konsumit.”, tha më tej Muço.
Më shumë te ardhura, por më pak shpenzime. Në 4 muajt e parë të vitit qeveria ka shpenzuar 207.8 miliardë lekë, duke realizuar 25.2% të planit vjetor. Shkak sipas ekspertëve janë edhe zgjedhjet, periudhë e së cilës nuk lejohet investime të reja.
“Ishim përgjatë një viti elektoral përsëri në 4 muajt tregojnë që kishim harxhuar më pak sesa kishim mbledhur. Dhe kjo tregon që niveli i borxhit publik të përmirësohet më tepër.”, shton ai.
Në 4 muajt e parë të 2025 buxheti ka rezultuar me një suficit prej 38.5 miliardë lekësh. Duke bërë që shpenzimet të përqendrohen më së shumti në një periudhë të vitit.
TË ARDHURAT NË ARKËN E SHTETIT
(Burimi: Ministria e Financave)
246.65 MLD LEKË
+6.2%
TË ARDHURAT NGA DOGANAT
(Burimi: Ministria e Financave)
Akciza 20 mld lekë
TVSH në import 48.8 mld lekë
Taksa doganore 2.8 mld lekë
Renta minerare 786 mln lekë
SHPENZIMET NË 4 MUAJ
(Burimi: Ministria e Financave)
207.8 mld lekë
25.2%
Top Channel