
Qeveria spanjolle ka kërkuar heqjen e listave të gati 66,000 pronave në platformën e qirasë Airbnb me arsyetimin se ato shkelin rregulloret për akomodimin turistik.
Masat e ashpra vijnë në një kohë kur protestat kundër turizmit të tepërt kanë filluar përpara sezonit të verës. Kjo bëri që mijëra njerëz të demonstrojnë në Ishujt Kanarie.
Ministri për të drejtat sociale, çështjet e konsumatorit dhe Axhendën 2030, Pablo Bustinduy, tha se pronat me qira në fjalë kishin “shkelur norma të ndryshme në lidhje me strehimin për përdorim turistik”.
Njoftimi pasoi një vendim të gjykatës së Madridit që Airbnb duhet të tërheqë menjëherë nga tregu 4,984 nga pronat e cituara nga ministria.
Pronat janë në gjashtë rajone: Madrid, Andaluzi, Katalonjë, Valencia, Vendi Bask dhe Ishujt Balearik.
Kostoja mesatare e një qiraje është dyfishuar gjatë dekadës së fundit, ndërsa pagat nuk kanë arritur të përballojnë ritmin.
Apartamentet turistike janë identifikuar nga shumë njerëz si një shkak kryesor i problemit, duke i privuar banorët vendas nga akomodimi.
Spanja është destinacioni i dytë turistik më i popullarizuar në botë pas Francës, me 94 milionë vizitorë të huaj në vitin 2024, një rritje prej 13% krahasuar me vitin e kaluar.
Kryeministri Pedro Sánchez tha më parë këtë vit se “ka shumë Airbnb dhe pak shtëpi” dhe premtoi të parandalojë zgjerimin “e pakontrolluar” të përdorimit të pronave për turizëm.
Top Channel