Lezha gati për sezonin veror, strategji të re për menaxhimin e mbetjeve dhe territorin e pastër

20/05/2025 12:29

Përgatitjet për sezonin turistik në bregdetin e Lezhës kanë hyrë në fazën përfundimtare.

Në Shëngjin, kryetari i Bashkisë Pjerin Ndreu zhvilloi një takim me operatorët turistikë, ku u diskutuan masat që do të merren për të garantuar një sezon sa më të organizuar dhe me standarde më të larta.

Një nga prioritetet e këtij sezoni do të jetë menaxhimi i mbetjeve dhe mbajtja e territorit të pastër.

Struktura të posaçme do të angazhohen për pastrimin e përditshëm dhe kontrollin e situatës mjedisore, ndërkohë që subjektet që nuk respektojnë rregullat do të paralajmërohen dhe, në rast përsëritjeje, do të përballen me masa administrative.

Një tjetër risi këtë verë do të jetë shtimi i plazheve publike, një masë që synon të rrisë aksesin për pushuesit dhe të ofrojë alternativa të pastra dhe të mirëmenaxhuara.

Hapja zyrtare e sezonit turistik në Lezhë do të bëhet më 24 maj. Gjatë gjithë sezonit, Bashkia do të bashkëpunojë me institucionet përgjegjëse për të garantuar rend, pastërti dhe kushte të favorshme për turizëm, ndërsa kontrollet do të jenë të vazhdueshme në të gjithë zonën bregdetare.

Top Channel