“Postimi në rrjetet sociale bënte thirrje për vrasjen e Trump”, ish-drejtori i FBI-së merret në pyetje nga Shërbimi Sekret

17/05/2025 07:44

Ish-drejtori i FBI-së, James Comey, është marrë në pyetje nga Shërbimi Sekret i SHBA pas një postimi në rrjetet sociale, i cili u interpretua nga republikanët si një thirrje për dhunë ndaj ish-presidentit Donald Trump.

Ai u paraqit vullnetarisht në selinë e Shërbimit Sekret në Uashington, ku u intervistua për rreth një orë. Megjithatë, ish zyrtari i lartë nuk është ndaluar dhe ndaj tij nuk është ngritur ndonjë akuzë, të paktën deri më tani.

Ngjarja erdhi vetëm një ditë pasi Comey publikoi një foto në Instagram që me guaska deti kishte formuar numrat”8647″. Numri “86” në zhargon amerikan mund të nënkuptojë “të refuzosh” ose “të heqësh qafe”, por kohët e fundit është përdorur edhe në kuptimin “të vrasësh”. Ndërkohë, Trump është presidenti i 47-të i SHBA-së.

Në një intervistë për Fox News, Trump tha se Comey “po bënte thirrje për vrasjen time”. Ai shtoi: “Ai e dinte shumë mirë se çfarë do të thoshin ato numra. Edhe një fëmijë e kupton. Ai po fliste për atentat.”

Comey më pas e fshiu postimin pas reagimeve të ashpra në rrjetet sociale dhe kritikave nga figura konservatore.

Në një postim sqarues në Instagram, ai shkroi: “I pashë guaskat gjatë një shëtitjeje në plazh dhe mendova se ishte një mesazh politik. Nuk e dija që disa i lidhin ato numra me dhunën. Nuk më shkoi mendja kurrë, por unë kundërshtoj dhunën në çdo formë, prandaj e hoqa postimin.”

Sekretarja për Sigurinë Kombëtare, Kristi Noem, konfirmoi në platformën X se Comey ishte intervistuar dhe e quajti atë “ish-drejtor të turpëruar të FBI-së”, duke shtuar se “ky është një hetim në vazhdim”.

Ndërkohë, drejtorja e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, kërkoi arrestimin e Comey-t, duke thënë se ai kishte “urdhëruar një atentat” ndaj Trumpit ndërsa ky i fundit ndodhej në një vizitë në Lindjen e Mesme.

Pritet që Departamenti i Drejtësisë, nën drejtimin e Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi, të vendosë nëse do të ngrejë akuza formale ndaj ish-drejtori i FBI-së.

Top Channel