Sherri mes dy adoleshentëve në Maliq, flet gjyshja e 14-vjeçarit që plagosi me thikë bashkëmoshatarin: Djali vinte në shtëpi duke qarë

16/05/2025 17:04

Një sherr mes dy adoleshentëve në Maliq ka agravuar në përdorimin e thikës.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:40, në fshatin Sheqeras, Maliq. Sipas policisë, adoleshenti i plagosur po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Gjyshja e autorit, Arefije Kora, ka folur për Top Channel duke thënë:

“Unë isha në shtëpi, vjen djali që nga shkolla, nuk e di a vajti në shtëpi a nuk vajti, se unë djalin e kam në shtëpi më vete. Më tha: ‘Nëna, u zura me atë djalin që më tallte shumë’. Nuk pandeha që ishte bërë kaq e madhe. Më tha: ‘Unë kisha atë thikën, ai më shtriu në tokë, unë nuk do e godisja, por nuk e di si e zuri thika. Unë nuk e mora për atë thikën. Ai më shtriu i pari në tokë, unë siç lëviza, e zuri thika’.

Nga këtu shkova te i ati, më doli gjyshja, i tregova, po thërriste ajo dhe ka të drejtë, nuk i zemërohem dot. Më tha: ‘Djalin e çuam në Korçë, o bëhet, o nuk bëhet’. Marrim taksinë për të shkuar në Korçë, rrugës marrim të gjyshin e djalit dhe e pyesim si është, se jemi nisur. ‘Ne djalin e kemi në Korçë’, na tha, ‘por mos hajdeni se po erdhët do bëhet e madhja, do vritemi, nuk ju lë të gjallë’. U kthyem, gjetëm policinë, i pyetëm, na thanë po kërkojmë thikën.

E tallnin shumë djalin, më shumë pa shkollë djali se me shkollë. Ca e tallnin andej, ca i thoshim: ‘Do shkosh në shkollë se s’bën’. Më tallnin, thoshte, po pse, nuk e di. Ju kam vajtur në shtëpi, nuk e di unë, e shkreta. Nuk janë shokë klase. Ne ankoheshim tek këta, djalin e tallte dhe vinte në shtëpi duke qarë. Ne familjarët na thonin: ‘Do i flasim djalit dhe do e zgjidhim’. Ju thosha: ‘Po na mbetet djali pa shkollë, djali është në klasë të shtatë’. I thoshim: ‘Shko te mësuesi, tako dhe drejtorin’.

Një thikë të vogël kishte, e gjeti policia, nga shtëpia do e ketë marrë. Thikë e shtëpisë ishte, një që qëronim mollë. Unë nuk e dija që ishin zënë, po bëja drekën kur erdhi ai duke qarë. Unë po i thoja: ‘Çfarë na bëre?’, ai u hutua më shumë. Shyqyr që është djali mirë, në radhë të parë për ata, por edhe për ne.

Ata e kanë në dorë. Mos zihen as me nusen, as me djalin, mos i dalin djalit përpara e t’i thonë: ‘Ç’më bëre djalit’. Këtë duam ne. Ne në shkollë nuk jemi ankuar, te prindërit e djalit kemi shkuar. Ky djali e tallte gjithmonë, për këtë ankohej.”

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta