“A do të ketë një marrëveshje për kampet e emigrantëve?”/ Rama: Kam qenë i qartë! Jemi besnikë ndaj martesës me Italinë

15/05/2025 16:25

Kryeministri Edi Rama dhe ai i Britanisë së Madhe, Keir Starmer po zhvillojnë një konferencë për shtyp në lidhje me samitin evropian që do të mbahet nesër.

Rama dhe Starmer u pyetën nga një gazetar britanik nëse do ketë marrëveshje të ngjashme si me Italinë për kampe emigrante, ku kreu i qeverisë u përgjigje se nuk do të ketë. Më tej vazhdoi me batutë se ‘jemi besnikë martesës me Italinë’.

Ndër të tjera Rama tha se vende të tjera e kanë propozuar, por që u ka thënë ‘jo’.

Kam qenë i qartë qysh prej ditës së parë që kur nisëm procesin me Italinë, ishte një marrëveshje e vetme me Italinë për shkak marrëdhënies sonë të veçante por edhe për shkak të situatës gjeografike që është mjaft kuptimplotë. Për të qenë shumë i sinqertë me ju, janë kanë kërkuar shumë vende dhe u kemi thënë jo. Jemi besnikë ndaj martesës me Italinë dhe pjesa tjetër është dashuri.“, tha kryeministri.

Ndërsa kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar u shpreh “Po e diskutojmë si çështje me një sërë shtetesh, e shoh si çështje novatore dhe të rëndësishme, është në përputhje me punën që ne kemi bërë edhe për zbatimin e ligjit, marrëveshjet që kemi për kthimet. Ajo që dua të bëj është të shtoj këto qendra kthimi. Qeveria e mëparshme ka bërë një eksperiment me kufijtë e hapura dhe nuk kanë ekzaminuar kërkesat për azil. Shumë prej tyre mbahen sepse nuk merrnin përgjigje, këto ishin paratë e tatimpaguesit dhe kjo është situata skandaloze që ne kemi gjetur. Puna që kemi bërë me Shqipërinë është jetike. Më vjen mirë që kemi përveshur mangët dhe kemi kthyer 24 mijë persona që kanë ardhur në mënyrë të paligjshme.

Konferenca e Përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer:

 Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri britanik Keir Starmer, i cili është njëkohësisht Kryeministri i parë i Mbretërisë së Bashkuar që viziton Shqipërinë në historinë e marrëdhënieve dypalëshe mes vendeve, dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, pas takimit mes tyre.

Kryeministri Edi Rama: I nderuar zoti kryeministër. I dashur Keir! Është një tjetër vizitë historike në Tiranë pas asaj të Presidentit Macron, i cili ishte i pari President në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-franceze, që vizitoi Shqipërinë.

Ju jeni i pari kryeministër në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-britanike që vizitoni Tiranën për një vizitë bilaterale, që ne e çmojmë jashtëzakonisht shumë, në vigjilje të samitit të 6 të Komunitetit Politik Europian.

Dua t’ju falënderoj ju posaçërisht për përkujdesjen qysh në ditën kur unë erdha në Samitin e Londrës, që ngarkuat njerëzit tuaj për të na ndihmuar me ekspertizën e tyre në organizmin e këtij Samiti në Tiranë, që shpresoj, ne ta kemi në lartësinë e duhur nesër.

Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve tona dhe për shkak se asnjëherë më parë, ne nuk kemi qenë kaq të lidhur në të paktën dy çështje të rëndësishme. Natyrisht në çështjen  e Ukrainës, si dy vende që ndajmë edhe anëtarësinë në NATO dhe në çështjen e betejës kundër emigracionit të paligjshëm dhe rrjeteve kriminale, që e stimulojnë emigracionin e  paligjshëm. Dhe besoj që në këtë të dytën kemi bërë progres të jashtëzakonshëm, ndërkohë që për sa i përket të parës marr parasysh edhe situata në përgjithësi gjeopolitike është shumë më e trazuar, ne kemi thelluar bashkëpunimin dhe po punojmë intensivisht për të krijuar më shumë sinergji në fushën e sigurisë e posaçërisht të mbrojtjes.

Në angazhimin kundër rrjeteve kriminale dhe emigracionit të paligjshëm kemi arsye të jemi shumë krenar për punën që kemi bërë. Shifrat janë mbresëlënëse dhe unë përfitoj nga rasti i pranisë tuaj dhe i pranisë të të dërguarve të medias britanike për të theksuar që referimi në shifrat e këtij bashkëpunimi shumë të suksesshëm është gjëja e duhur për publikun britanik dhe jo kultivimi i miteve, ndër të cilët dhe miti se shqiptarët janë një problem për Britaninë, pasi të gjitha shifrat flasin vetë.

Në vitin 2024, numri i shqiptarëve  që kanë hyrë, apo tentuar të hyjnë në mënyrë të paligjshme në Britani është disa qindra, ndërkohë që në momentin që ne kemi shtyrë përpara për të ngritur Task forcën e përbashkët arriti në 12 mijë, përkatësisht në vitin 2022 kur pati një fluks të madh.  E nga ana tjetër dua që të theksoj këtu edhe një shifër që më bën shumë përshtypje dhe na bën shumë përshtypje ne shqiptarëve është kur thuhet se 1 në 50 shqiptarë na qenka në burg në Britani. Kjo është një gënjeshtër e madhe që ka marrë statusin e së vërtetës, ndërkohë që në të vërtetë shifra është 1 në 500. Pra është dhjetëfish më e ulët. Dhe e fundit, që dua të theksoj është se unë jam shumë krenar për policinë shqiptare dhe për punën e forcave tona të sigurisë, të cilat janë vlerësuar nga vetë Home Office me çmimin e parë të Home Office parvjet për punën e shkëlqyer në bashkëpunim me strukturat e shtetit britanik dhe vjet nuk e morëm çmimin e parë që të mos bënim xhelozë të tjerët, dhe ta merrnin dy herë radhazi, që të jemi shumë të qartë për këtë dhe e pranojmë këtë, të jemi viktima të xhelozisë së të tjerëve.

E fundit, që dua të them eshtë që është koha për të shqyrtuar një tjetër problem që kemi në Britaninë e madhe me shumë shqiptarë, të cilët kanë arritur dhe janë sistemuar në Britani shumë vite më parë, janë të gjithë të integruar në jetën e Britanisë së madhe, por në kohën e mbërritjes së tyre kanë përdorur pasaporta, por më saktë kanë përdorur identitet të Kosovës për të pasur pranimin si refugjatë lufte, ndërkohë që largoheshin nga një vend jashtëzakonisht në vështirësi.

Ata sot jetojnë me dy identitete, një identitet për shtetin britanik, një identitet këtu në Shqipëri dhe kanë probleme të vazhdueshme, të cilave mund t’u jepet një zgjidhje, duke pasur parasysh se janë qytetarë të integruar plotësisht prej më shumë se 20 vjetësh dhe janë kontribuues në ekonominë dhe në jetën shoqërore të Britanisë me shumë dinjitet.

Dhe e fundit është që janë 50 mijë shqiptarë afro me pasaporta britanike që kontribuojnë në shtetin britanik dhe afro 50 mijë të tjerë me pasaporta shqiptare që kontribuojnë në shtetin britanik si kontribuues të ndershëm dhe të rregullt dhe është e papranueshme për ne për më tepër pas gjithë kësaj pune që kemi bërë bashkë me qeverinë britanike, që shqiptarët të vazhdojnë të stigmatizohen sikur janë problemi i Britanisë së Madhe nga një sërë burimesh mediatike.

E fundit, dua të them që me Kryeministrin kemi folur dhe për shkëmbimet tregtare. Kemi një rritje të shkëmbimeve tregtare, krahasuar me më parë, rreth 27%, por shuma e përgjithshme e shkëmbimeve tregtare është më pak sesa buxheti i skuadrës së Crystal Palace.

Kështu që, është mirë që ta rrisim më shumë. Shumë faleminderit!

 Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer: Faleminderit shumë! Faleminderit shumë, i dashur Edi!

Është vërtetë privilegj për mua që jam kryeministri i parë i Mbretërisë së bashkuar që vij këtu për një takim dypalësh, ndërmjet vendeve tona dhe mendoj që kjo është vërtetë diçka madhore sepse pasqyron lidhjen e fortë ndërmjet dy vendeve tona dhe jam shumë i kënaqur që pasi e diskutuam këtë gjë, më parë që në javën e parë që unë u bëra kryeministër, tani kemi patur mundësinë që unë të vij në Shqipëri dhe të organizonim këtë takim dypalësh. Natyrisht si pjesa që i paraprin Samitit nesër.

Përgëzime, urime për fitoren zgjedhore këtë javë dhe në fakt është vërtetë gjë e madhe që jam këtu në Shqipëri për të hapur atë, që unë e shoh si kapitullin e radhës në marrëdhënien e fortë të dy vendeve tona, duke ofruar siguri dhe rritje këtu në Evropë, por edhe në Mbretërinë e Bashkuar, por gjithashtu për mua, kjo është një mundësi për të parë nga afër se si po punojnë së bashku dy vendet tona për disa nga sfidat më madhore me të cilat ne përballemi.

Sot në mëngjes, siç e dini, unë vajta në Portin e Durrësit, ku pashë përpjekjet tona të përbashkëta për të goditur krimin kufitar, ndërkufitar pra, autoritetet ligjzbatuese të Shqipërisë dhe autoritetet ligjzbatuese të Mbretërisë së Bashkuar që punojnë krah për krah me njëri-tjetrin dhe siç e kam thënë dhe në dokumentin e parë për emigracionin që ne botuam ditën e hënë, kufijtë e sigurtë të vendit tonë janë qendrore dhe jetike për planin tonë të ndryshimit dhe njerëzit që duan dhe në fakt meritojnë një sistem emigracioni, që është i drejtë dhe  që funksionon, jo vetëm për interesin tonë kombëtar, por edhe që rivendos kontrollin dhe logjikën në kufijtë tanë.

Prandaj ju jam mirënjohës ju, i nderuar Kryeministër, për mbështetjen  tuaj dhe për udhëheqjen tuaj të guximshme për çështjet e emigracionit me të cilat përballet kontinenti ynë dhe ecuria jonë e përbashkët që ne kemi patur, pra progresi në uljen e numrit të gomoneve, ka qenë e konsiderueshme dhe ka qenë pra një ulje vërtetë e konsiderueshme dhe ky është një mesazh dhe shembull shumë i qartë i asaj që mund të arrihet kur dy vende punojnë ngushtësisht me njëra-tjetrën.

Ajo që thatë edhe ju, task-forca jonë e përbashkët, pra siç e theksuat, në fakt kanë përveshur mëngët, kanë ecur përpara, kanë punuar, se sa thjeshtë të shkruanin letra nga njëri shtet tek tjetri dhe ka funksionuar për të frenuar emigracionin e paligjshëm dhe ndërkohë kemi dhe marrëveshjen tonë të përbashkët për transferimin e personave të dënuar sepse ne dëshirojmë që pikërisht pra këta të dënuar, ta vuajnë dënimin këtu në Shqipëri, ndërkohë që kemi mbështetur të rinjtë që ta kryejnë dhe ta kenë jetën e tyre në Shqipëri.

Partneriteti ndërmjet vendeve tona shkon përtej bashkëpunimit për sigurinë e kufijve tanë, pra Shqipëria është një aleat i fortë i NATO-s dhe partner kyç në luftën e Ukrainës kundër agresionit rus. Kjo është shumë e rëndësishme në një moment të tillë, duke përfshirë këtu edhe mbështetjen tuaj për trajnimin e trupave ukrainase në Mbretërinë e Bashkuar si pjesë e operacionit Interflex dhe unë vetë kam qenë për ta parë këtë trajnim, që bëhet disa herë dhe vërtetë që më ka lënë shumë përshtypje dhe një shembull shumë i mirë i kombeve si tonat, që punojnë së bashku për të arritur një qëllim të përbashkët dhe për ketë arsye kam kënaqësinë që të shprehem këtu për thellimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik, ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, një partneritet që do të thellojë bashkëpunimin tonë në fushat e mbrojtjes, sigurisë; do të pengojë dhe do të frenojë emigracionin e parregullt, si dhe aktivitetin kriminal ndërkufitar dhe do të maksimizojë potencialin që ne kemi për investime në infrastrukturë në rritje në veçanti  në sektorin e mbrojtjes dhe për këtë arsye jam shumë i kënaqur gjithashtu, që përpara jush mund të shprehem dhe për deklaratën tonë të përbashkët, që ne kemi për bashkëpunimin pra në sektorin e mbrojtjes dhe do të punojmë së bashku për prodhimin dhe shitjen e automjeteve ushtarake, pra një deklaratë e qëllimit sepse do të thotë që ne dëshirojmë të fuqizojmë sigurinë kombëtare dhe novacionin si edhe rritjen ekonomike të kombeve tona.

Ky është një moment, të cilin shtetet evropiane duhet të qëndrojnë së bashku, duhet të bëjnë qëndresë ndaj agresionit rus në kontinent dhe më vonë sot, unë do të shkoj për të vizituar trupat shqiptare dhe ato të Mbretërisë së Bashkuar që po punojnë së bashku për të mbrojtur lirinë tonë dhe qytetarët tanë sepse këto janë pra vijat e parë të betejës së Ukrainës , me vlerat e perëndimit dhe kjo është arsyeja pra se ne do të vazhdojmë pikërisht ketë punë të përbashkët për trupat dhe ajo që po bëjmë për Ukrainën , është një dëshmi e qartë e asaj që ne po bëjmë dhe po punojmë në mënyrë kaq efikase, por është mbrojtja e Ukrainës, e cila do të vazhdojë të bëhet dhe në do të vazhdojmë të udhëheqim me të gjitha përpjekjet tona.

Ju jam shumë shumë mirënjohës juve, Shqipërisë, për këtë partneritet kaq të fortë që ju keni treguar në këtë betejë tonën, duke treguar lidership në të gjithë botën, pra, ju nesër do të mirëprisni të gjithë udhëheqësit që do të vijnë për Komunitetin Politik Evropian, natyrisht, duke u fokusuar tek siguria evropiane dhe  duke bërë këtë, në këtë moment kritik, ne po përçojmë një mesazh shumë të qartë, që Evropa është e bashkuar.

Jemi të fortë jashtë nesh, jemi të sigurtë brenda në shtëpitë tona, po vendosim paratë aty ku duhet edhe në xhepat e qytetarëve tanë dhe po thellojmë partneritetet tona me aleatët evropiane për të mirën e qytetarëve tanë në Mbretërinë e bashkuar dhe ishte privilegj për mua që kam qenë këtu.

– Gjatë takimit që patët me kryeministrin Rama, e diskutuat çështjen e atyre që në Britaninë e Madhe njihen si Foreign Hub, për t’i dhënë mundësinë qeverisë tuaj për të dërguar azilantët e dështuar e më pas për ti kthyer në vendet e tyre të origjinës, ndërkohë që edhe kryeministri Edi Rama e përmendi në vitin 2022 ne patëm 12 000 shqiptarë mbërritur me varkat e vogla ndërkohë që në 2024 numri është 600, pra 94% më pak. Në të tilla kushte, a ka mundësi qeveria juaj për të rritur kuotat e vizave për punonjës sezonal për qytetarët shqiptarë? Ndërkohë kryeministër Rama, sa mundësi ka Shqipëria për ta vazhduar ndihmën ndaj Britanisë së Madhe për çështjen e emigracionit, për të patur Britania e Madhe një facilitet të ngjashëm me atë që ka Italia për sa i përket emigrantëve ilegal? Faleminderit!

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer: Ajo çfarë diskutuam ishte efektiviteti i atyre bashkëpunimeve që kemi bërë për këto 2-3 vite që kanë çuar në uljen dramatike të shifrave siç ju e përmendët, nga 12.000 në një ulje prej 94% dhe diskutim se si kjo punë përmes kësaj skuadre të përbashkët, mund t shtrihet në vende të tjera të rajonit dh si mund ta bëjmë këtë më efektive.

Po kështu diskutuam duke dalë nga takimi sot paradite, si të punojmë së bashku edhe për çështje të aktiviteteve të tjera kriminale ndërkufitare dhe si ekipi ynë të ndajë jo vetëm elementë operative por dhe informacion inteligjence.

Ky model i veçantë ka qenë më efektivi dhe kryeministri dhe unë mendojmë njësoj në kuptimin që nuk preferojmë të flasim për problemin dhe t’i biem rreth e rrotull herë pas here por të përveshim mëngët, të punojmë e ta zgjidhim atë. Në fakt ky është qëllimi task forcës, një organ operativ dhe në fakt është një punë që jemi mjaft të prirur ta mbështesim dhe një shembull për të tjerët.

Kryeministri Edi Rama: Për sa i përket pyetjes lidhur me replikimin e modelit që ne kemi sjellë në Shqipëri në bashkëpunim me Italinë, unë e kam thënë që në krye të herës, që ky është një model i cili kërkon kohën e vet për tu testuar, e para dhe e dyta, ky është një model që në rast se funksionon, mund të replikohet por jo në Shqipëri, në vende të tjera të rajonit ku po qe se rezultati i modelit do të jetë pozitiv, nuk ka arsye që të mos ketë disponim nga ana e vendeve të tjera.

Ndërkohë, dua të shtoj dhe diçka tjetër, që kryeministri e preku, që ne kemi diskutuar edhe për samitin që do të bëhet në Londër në tetor, për Procesin e Berlinit, ku Britania e Madhe do të mikpresë Procesin dhe pavarësisht fakti se Procesi i Berlinit është një proces i ndërtuar brenda, si të thuash hemisferës europiane nën udhëheqjen e kancelares Merkel për të nxitur bashkëpunimin rajonal në funksion të integrimit edhe Europian, ne gjykojmë se do të jetë shumë më pozitive dhe një vlerë e shtuar që në samitin e Londrës, vendet e rajonit të kenë edhe një dritare diskutimi për marrëdhënien mes Britanisë së Madhe dhe Ballkanit Perëndimor, në drejtim të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, në drejtim të nxitjes së investimeve britanike në rajon dhe në drejtim të asaj që tha kryeministri, shtrirjes së kësaj bërthame shqiptaro britanike të luftës kundër emigracioneve të paligjshme dhe rrjeteve kriminale, për të pasur një rrjet rajonal të sinkronizuar me strukturat e zbatimit të ligjit në Britaninë e Madhe dhe për të siguruar që e gjithë kjo hapësirë, është një hapësirë ku veprimtaria e rrjeteve kriminale që nxisin trafikun e paligjshëm të qenieve njerëzore, është absolutisht nën kontroll.

– Kryeministër, ju nga mënyra se si folët, thatë sikur nuk do të bëhet një qendër e tillë, si ajo me Italinë, pra në Shqipëri. A është e vërtetë kjo për këtë model që ne dëshirojmë të kemi për ta trajtuar këtë çështje tonën? Ndërsa ju kryeministër britanik, folët për tato vende dhe përmendët disa vende ku mund të çoni për përpunimin e rasteve të këtyre personave, si dhe hotelet emigrante që ne kemi në Britaninë e Madhe që po boshatisen.

Kryeministri Edi Rama: Po e kuptuat drejt. Kam qenë shumë i qartë qysh prej ditës së parë kur nisëm këtë proces me Italinë që kjo ishte një marrëveshje e vetme me Italinë për shkak të marrëdhënies sonë të veçantë por edhe falë situatës gjeografike që është mjaft kuptimplotë. Për të qenë shumë i sinqertë me ju, na kanë kërkuar një sërë vendesh nëse ishim të hapur për një gjë të tillë dhe u kemi thënë jo, sepse jemi besnik “martesës” me Italinë dhe pjesa tjetër është thjesht “dashuri”.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer: Në lidhje me pyetjen tuaj, në fakt po, po diskutojmë këtë çështje me një sërë shtetesh për sa u përket këtyre qendrave për kthimet dhe këtë e shoh si një çështje novatore, të re e të rëndësishme, e cila është në përputhje me punën që ne kemi bërë për, për shembull uljen e numrave nga Shqipëria, puna që kemi bërë dhe për zbatimin e ligjit edhe me vendet e tjera. Marrëveshjet e kthimit që ne kemi, numrin rekord të kthimeve që kemi pasur dhe ajo që dëshiroj të arrij është dhe që të shtojmë këto qendra kthimi sepse po i bëjmë këto diskutime tashmë dhe në kohën e duhur, do t’ju jap dhe hollësira të mëtejshme.

Në lidhje me hotelet e azilantëve siç i quajmë ne, duhet të jemi shumë të qartë pse e kemi këtë problem që kemi dhe kjo është për arsyen se qeveria e mëparshme në  mbretërinë e bashkuar, ka patur, ka bërë një eksperiment me kufij të hapur dhe përveç kësaj nuk kanë kryer të gjitha ekzaminimet për kërkesat për azil që do të thotë që dhjetëra e mijëra azilantë mbetën sepse situata e tyre ishte e atillë që as nuk u jepej përgjigje, as nuk i kthenin dhe numri i tyre u bë gjithnjë e më i madh dhe u desh që ato të akomodoheshin diku e këto ishin paratë e tatim paguesve dhe kjo është ajo situatë skandaloze që kemi gjetur.

Mënyra se si duhet zgjidhur është kjo punë që po bëjmë, që personat ti ndalojmë që të mos vinë në mbretërinë e bashkuar në formë të jashtëligjshme dhe për këtë arsye, ky samit, puna që kemi bërë me Shqipërinë dhe vendet e tjera është jetike, por dhe të ekzaminojmë të gjithë kërkesat e tyre që personat të kthehen në vendet e tyre e më vjen shumë mirë që edhe një herë kemi përveshur mëngët, kemi bërë punën e duhur dhe kemi kthyer 24000 persona që nuk kanë pasur të drejtë të qëndronin në Mbretërinë e Bashkuar dhe kjo është shifra më e lartë në 10 vjet e do të vazhdojmë ta bëjmë këtë unë edhe në të ardhmen. Faleminderit!

– Një pyetje për të dy ju zotërinj, për Ukrainën. Vladimir Putin nuk ka rënë dakord që të jetë pjesë e diskutimeve që po bëhen në Turqi, a ka ndonjë shpresë për armëpushim në Ukrainë dhe cili është mesazhi juaj për Putinin?

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer: Më lini t’i jap përgjigje drejtpërdrejtë kësaj pyetje. Ajo që ka ndodhur sot është në provë e mëtejshëm se është Putin ai që po i tërheq gjërat zvarrë. Është Putin ai që po shkakton vonesa për një armëpushim. Ukraina ka qenë e qartë prej një kohë shumë të gjatë, qysh prej disa muajsh, që mund të ketë një armëpushim 30 ditorë pa kushte dhe kemi thënë gjithmonë që është Putini i cili po pengon paqen. Ai ka qenë agresori në fillim. Është vendi që e ka nisur këtë konflikt, ishte Rusia, Putin dhe është ky vend që tashmë po pengon faqen dhe kjo është Rusia dhe Putin.

Patëm një takim të mirë të shtunën e kaluar në Kiev ku arritëm të mblidhnim një grup të gjerë vendesh për të pasur një mbështetje të qëndrimit për armëpushim. Tashmë do të kemi një mundësi nesër për të vazhduar punën tonë për të arritur një armëpushim, por për mua kjo është një provë e argumentit që e kam thënë në mënyrë të përsëritur, që është Putin ai që po i tërheq gjërat zvarrë. Prandaj duhet që të gjitha kombet duhet të rradhiten si aleatë për tu siguruar që të marrim këtë armëpushim që duhet dëshpërimisht, por po kështu dhe të sigurohemi që të kemi sanksione të miratuara në momentin që putin vazhdon në këtë rrugë të tërheqjes së gjërave zvarrë dhe të mos ulurit në këtë tryezë për armëpushim.

Kryeministri Edi Rama: Më duhet t’ju informoj që jeni në një vend i cili që nga ndryshimi regjimit prej një diktatore në një demokraci 35 vjet më parë, asnjë president apo kryeministër rus nuk ka vënë këmbë këtu dhe asnjë prej këtej nuk ka fluturuar në rusi. Nuk na merr malli, as po kërkojmë ta ndryshojmë sinqerisht por kjo është një histori e gjatë që lidhet historikun tonë, me ish Bashkimin Sovjetik dhe Rusinë. Thënë kjo duhet të them që ne kemi qenë qysh në krye të herës në krah të Ukrainës e do të vazhdojmë të jemi. Ne jemi të vetëdijshëm që edhe pse ky vend ka kryeministrin më të gjatë në NATO, nuk ka fuqinë apo peshën e shumë vendeve të tjera për të luajtur ndonjë lloj roli madhor apo përcaktuar, por nga ana tjetër nuk duhet të harrojmë se jemi të bekuar që kemi lindur në kontinentin e iluminizmit dhe me një hapësirë të njerëzimit ku lindi, pa dritën ëndrra e paqes së përhershme dhe vetë Europa është një projekt që ka qenë gjithnjë i orientuar drejt paqes. Kështu që, ndërkohë që ne do të bëjmë gjithçka që të sigurohemi që të kemi fuqinë për të mbrojtur lirinë tonë dhe vlerat tona, po kështu kurrë nuk duhet te heqim dorë nga kërkimi i paqes. Sigurisht, ndonjëherë duket shumë e padrejtë, por është natyra e të qenit europian dhe e të qenit nga ana e njerëzimit jo e barbarëve, që të kërkojmë paqe edhe me barbarët.

-Paraardhësit tuaj në qeveri kanë mbajtur qëndrime shumë të forta ndaj komunitetit shqiptar në Britani, qëndrime që në fakt ishin shumë denigruese, duke mos bërë një dallim të qartë midis atyre shqiptareve që jetojnë me punë të ndershme dhe paguajnë taksa dhe janë qytetarë të mirë dhe atyre, një pjesë e vogël besoj që janë përfshirë në aktivitet kriminal. Duke qenë se jeni kryeministri i parë në një vizitë zyrtare në Shqipëri, që prej vendosjes diplomatike mes dy vendeve, a mendoni që është ky një moment që jeni tani në tokën e shqipove, të kërkohet një ndjesë në emër të shtetit britanik për këtë denigrim që i është bërë shqiptarëve.

Zoti Rama, në terma konkretë mund të na tregoni ku do të përqendrohet marrëveshja që nënshkruat në fushën e mbrojtjes? Kryeministri britanik e përmendi që lidhet me prodhimin e automjeteve, por a mund të jeni më specifik.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer: Atëherë fakti që unë jam kryeministri i parë britanik që jam këtu pra, në këtë vizitë dypalëshe dhe në këtë takim dypalësh, duhet të shihet dhe si një deklaratë qëllimi për mënyrën sesi e shikojmë ne Shqipërinë dhe Kryeministrin Rama dhe për vetë karakterin, natyrën, forcën që ka marrëdhënia jonë.

Nuk dua të bëj komente për kryeministra të mëparshëm  të Britanisë së Madhe, por qasja ime nuk është ajo me megafon apo diplomacia me megafon, por është ajo ku ti bën punën e fortë dhe zgjidh parlament më të cilat ne mund të përballemi.

Unë nuk dua që të bërtas për problemet, por thjeshtë dëshiroj të përvesh mëngët dhe të jem shumë pragmatist e t’i zgjidh këto çështje. Dhe këtë e kemi treguar, dëshmuar tashmë gjatë muajve dhe viteve të shkuara. Kjo ka qenë një mënyrë më efektive për të zgjidhur probleme të ndryshme, përfshirë këtu dhe punën e përbashkët që ne kemi parë sot të autoriteteve ligjzbatuese, të cilët merren me çështje të vërteta ndërkufitare dhe të kufijve. Por, natyrisht dhe ajo që shikojmë sot, trupat ushtarake dhe për këtë besoj shumë të dy shumë krenar apo jo, që trupat, ushtritë tonë po punojnë kaq fort me njëra-tjetrën. Faleminderit.

Kryeministri Edi Rama: Por na duhet të jemi të drejtë dhe të mos harrojmë që nuk është se ka qenë ndonjë kryeministër britanik që ka ofenduar apo treguar me gisht shqiptaret.

Kanë qenë individë të tjerë, disa individë të tjerë qe e kanë bërë, megjithatë ky nuk është justifikim sepse ishin zgjedhur nga populli britanik me votë dhe në fakt mallkimi nuk ishte shumë i mirë. Mallkimi i shqiptareve, sepse mallkimi iu kthye dhe tashmë janë jashtë parlamentit. Kjo mjafton, nuk ka nevojë për më shumë se kaq. Nga ana tjetër, më duhet të them se ajo çfarë kemi thënë në mënyrë të përsëritur është që kemi hyrë tashmë në një epokë të re, ja pse qeveria është në një fazë të re sa i takon ndërtimit të industrisë dhe prodhimit ushtarak. Ajo çfarë po bëjmë me një aleat të shkëlqyer, me dije të jashtëzakonshme e lëre më pa para sepse gjithmonë ankohen britanikët se nuk kanë mjaftueshëm para, por do doja që ta dinit që janë shumë të pasur. Jo, jo vërtete. Do doja vërtet që ta dinin sa të pasur janë. Ne jemi shumë të nderuar që e kemi këtë partneritet, me shprese që do të nisë me prodhimin e automjeteve, të cilat do t’u shërbejnë qëllimeve tona të përbashkëta e më pas sa më shumë aq më mirë. Kjo është ideja.

Edhe një herë dua të theksoj se për ne është një nder i madh që kemi këtu kryeministrin britanik që viziton vendin tonë dhe siç  e tha Keir është gjesti më i rëndësishëm, më i thellë dhe më i vlerësuar i respektit dhe i konsideratës së lartë për vendin tonë të vogël. Kështu që, presim me padurim që të ndërtojmë më shumë, për të ngritur një ndërtesë mjaft të fortë të kësaj marrëdhënieje tonën. Faleminderit shumë dhe shijojeni Tiranën. Siç i thashë dhe kryeministrit, po luftojmë që nesër të keni një mot shqiptar, jo mot Londre, por nëse do të bjerë shi atëherë fajin e keni ju.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta