Gjykata e Tiranës dënoi me burgim të përjetshëm Dan Hutrën, pasi e gjeti fajtor për vrasjen e tre grave dhe plagosjen e tre të tjerave, krime që i kreu pak ditë pasi kishte dalë nga burgu për dhunë në familje.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raporton se Gjykata urdhëroi që Hutra ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.

Vendimi i gjykatës penale të kryeqytetit u shpall sipas të njëjtës pretencë që renditi prokuroria, ndërsa i akuzuari u mbrojt nga një avokat i caktuar nga shteti.

Prokuroria tha për Dan Hutrën, një ish i dënuar më herët edhe për vrasjen e ish-bashkëshortes së parë, se ai e kreu masakrën, sipas akuzës, për shkak të marrëdhënieve me Mevlute Sadikun dhe po ashtu edhe të Hasime Dafkut, ndërsa krimin e tretë, ndaj shtetases Etleva Kurti, e kreu me paramendim, pasi ajo ishte motra e një të burgosuri që e kishte njohur në Drenovë gjatë kohës që po vuante një dënim.

Dan Hutra u dënua, përveç burgimit të përjetshëm, edhe për vrasjen e mbetur në tentativë të ish-bashkëjetueses Elena Hysa, në shtëpinë e të cilës qëlloi me breshëri, duke i lënë të vrarë motrën dhe kunatën, si dhe duke plagosur edhe të ëmën, Kujtime Hysa.

Dan Hutra e kreu masakrën në mars 2023. Ai fillimisht kreu plagosjen me thikë në Astir dhe më tej, gjakftohtë, udhëtoi drejt zonës së Paskuqanit, ku qëlloi me armë zjarri në banesën e prindërve të ish-bashkëjetueses, e më tej tek familja e Vladimir Kurtit, të cilin e kishte pasur shok.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta