
Kryesocialisti Edi Rama, është shfaqur sot në një atmosferë të pazakontë sportive dhe politike, teksa mori pjesë në nisjen e fazës së dytë të “Giro d’Italia” në Shqipëri, në një ditë që përkon me zgjedhjet parlamentare.
I veshur me tuta sportive dhe një bluzë me numrin 5, Rama theksoi për “Gazzetta dello Sport” me humor se numri që mbante në kofshën e majtë përfaqësonte edhe numrin e listës së partisë së tij në fletën e votimit. “Është e mrekullueshme që në një ditë zgjedhjesh, ku zakonisht ka tension, të ketë një festë,” u shpreh ai.
Rama dha miratimin për garën dhe falënderoi organizatorët: “Urime Kajros për organizimin. Kur isha i ri e ndiqja garën në radio dhe bëja tifo për Merckx. Çiklizmi është një metaforë për jetën – dhe me Giron, i tregojmë Italisë dhe botës se çfarë vendi i çmendur jemi.”
Në një intervistë të veçantë, ai foli edhe për ndikimin e sportit italian në rininë e tij: “Sporti italian, kur u bëra tifoz i Juventusit, ishte dritarja e vetme drejt një bote tjetër. Ishim të izoluar dhe ndiqnim futbollin në radio. Ishte shumë më tepër se sport. Në vitin 1982 ishte çmenduri: njerëzit festonin fshehurazi në shtëpi, sepse në rrugë nuk lejohej.”
Kryeministri ndau gjithashtu emrat e tre sportistëve të tij të preferuar: legjenda e futbollit Dino Zoff, trajneri vizionar Arrigo Sacchi dhe menaxheri karizmatik José Mourinho.
Duke reflektuar mbi rolin e sportit në kohët moderne, Rama tha: “Sporti mund t’i japë shumë më tepër Evropës, për një shoqëri më të shëndetshme. Inteligjenca artificiale mund të bëjë gjithçka, por jo të ndiejë dashurinë që na nevojitet.”
Në një koment mbi marrëdhëniet me kryeministren italiane Giorgia Meloni, Rama tha: “Në një miqësi si ajo mes Shqipërisë dhe Italisë, nuk mund të zgjedhësh vetëm gjërat e lehta. Meloni ka qenë një surprizë për Evropën, për rolin e saj në mbajtjen e saj të bashkuar.”
Sipas kryeministrit, ndryshimi i perceptimit të italianëve ndaj shqiptarëve gjatë 35 viteve të fundit është thelbësor: “Njerëzit e thjeshtë në Itali kanë qenë mikpritës dhe të dashur. Pa ata, ku do të kishim gjetur ushqim e ndihmë?”
Top Channel