
Në një ndeshje spektakolare mes Interit dhe Barcelonës, ku emocioneve nuk iu ndalua asnjë çast, kishte shumë protagonistë të mundshëm.
Goli i Frattesit, përpjekja sakrifikuese e Thuramit, zemra e Lautaros apo goditja e jashtëzakonshme e Acerbit — të gjitha do të mbetën në kujtesën e tifozëve. Por për shumëkënd, emri që ndriçoi më shumë në mbrëmjen e paharruar të “Nerazzurrëve” ishte ai i Yann Sommer.
Portieri zviceran 36-vjeçar ishte absolutisht vendimtar, duke kryer disa pritje spektakolare që e mbajtën Interin gjallë dhe e çuan drejt finales së madhe në Monako.
Ndërhyrja ndaj talentit të ri Yamal në minutat e fundit, e cila do të mbetet gjatë në kujtesën e tifozëve, si dhe pritja ndaj Eric Garcias në një moment kritik, dëshmuan se Sommer është në formën më të mirë të karrierës së tij.
Madje, sipas gazetës prestigjioze spanjolle Marca, në një vit ku mungon një favorit i qartë për Topin e Artë, portieri zviceran mund të jetë kandidati surprizë. Nëse Interi fiton finalen e Ligës së Kampionëve, Sommer mund të bëjë histori.
Deri më sot, vetëm një portier e ka fituar ndonjëherë Topin e Artë: legjenda sovjetike Lev Yashin. Legjenda të tjera si Dino Zoff, Gigi Buffon, Oliver Kahn, Manuel Neuer apo Ivo Viktor kanë qenë afër, por pa e prekur kurrë trofeun. Një triumf i Sommerit do të ishte jo vetëm personal, por edhe një sukses i jashtëzakonshëm për gjithë skuadrën e Interit.
Top Channel