
Partia Demokratike ka ngritur shqetësime lidhur me procesin e votimit të diasporës, duke i dërguar një shkresë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe misionit të OSBE-ODIHR. Sipas PD-së, ka pasur shkelje të rregullave gjatë shpërndarjes së zarfeve me fletët e votimit dhe materialet zgjedhore për shtetasit shqiptarë që jetojnë në Greqi.
Në letrën e tyre, demokratët kanë paraqitur një sërë rastesh të dokumentuara, të cilat sipas tyre dëshmojnë për parregullsi në këtë proces.
PD thekson rëndësinë e hetimit të këtyre pretendimeve për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor dhe votën e çdo qytetari shqiptar, pavarësisht vendbanimit të tij. Sipas PD shkeljet më të rënda janë regjistruar në Greqi.
“Procesi i votimit të diasporës për zgjedhjet e 11 majit 2025 është shoqëruar me probleme të shumta që rrezikojnë seriozisht integritetin e procesit zgjedhor. Shkeljet më të rënda janë regjistruar në Greqi, ku jeton pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë, por probleme serioze janë verifikuar edhe në Itali, Gjermani, SHBA, MB (UK) dhe vende të tjera të BE-së. Shkeljet variojnë nga mungesa e transparencës procedurale, tek presioni politik, shpërndarja jozyrtare e fletëvotimeve dhe cënimi i fshehtësisë së votës etj”, theksohet në shkresë.
Pritet që institucionet përgjegjëse të shqyrtojnë pretendimet dhe të marrin masat e nevojshme nëse konstatohen shkelje.
Top Channel