Inside Story / ‘Tepsia’ e listave të hapura, lufta e egër e kandidatëve brenda llojit

07/05/2025 21:12

Në këtë fushatë nuk po flitet për programe, por po flitet për tepsi. Kjo metaforë, e futur në fjalorin e politikës shqiptare prej vitesh, këtë herë synon të tregojë ndarjen e zonave mes kandidatëve.

Duket sikur gara në listën e hapur arrin qëllimin e zgjedhjeve, atë të pasjes së garës, por në realitet kjo garë është e pabarabartë.

Konkurrenca nuk është mes kundërshtarëve politikë, por mes kandidatëve të të njëjtit subjekt politik.

“Sistemi i ka detyruar që në Shqipëri garën e hapur ta kemi te kandidatët në listën e hapur, te kandidatët e partisë së njëjtë. Do të thotë që nëse je socialist sot, nëse je demokrat, ti nuk harxhon kohë dhe nuk e ke luksin për të shkuar dhe për të bindur një qytetar të pavendosur apo një qytetar që voton për parti tjetër, për ta kthyer në favor të partisë tënde. Ti shkon vetëm te anëtarët e partisë tënde dhe u thua: ‘Më voto mua si individ brenda partisë’. Nëse ata e marrin votën si individë brenda partisë, ata janë të suksesshëm, sepse e sigurojnë mandatin,” u shpreh Afrim Krasniqi, nga Instituti i Studimeve Politike.

Një politikan me pushtet ekzekutiv, apo një kandidat me potencial ekonomik, edhe në këtë fushatë po funksionon sipas metodave të vjetra – një premtim i shpejtë, i mbajtur dhe i përkthyer në vota.

Ndërsa një kandidat i ri, qoftë nga PS apo nga PD, ka aftësinë vetëm të premtojë se do t’i ngrejë në Kuvend të gjitha problematikat e qytetarëve. Kjo detyron që edhe një kandidat socialist pa pushtet e mbështetje të sillet si një opozitar.

“Imagjinoni, kryeministri i jep zgjidhje çdo qytetari kur ai i thotë: ‘Dua një urë, dua një rrugë, dua një shkollë,’ dhe ai i përgjigjet: ‘Po, do të ndërtohet.’ Dhe imagjinoni një kandidat që nuk i ka këto privilegje, por është i së njëjtës parti, që thotë: ‘Unë do ta ngre këtë çështje në parlament kur të diskutohet buxheti.’ Do të thotë që ai vepron praktikisht si një opozitar. Dhe nga ana tjetër kemi partitë opozitare që premtojnë se do të largojnë një sistem të korruptuar, por nuk kanë një mekanizëm për të provuar që sistemi që do të krijojnë është më i mirë se strukturat që po largojnë, për sa kohë që liderët politikë janë të njëjtë,” u shpreh Afrim Krasniqi, nga Instituti i Studimeve Politike.

Kjo betejë është e ngjashme me shprehjen “Secili për vete, Zoti për të gjithë”. Secili kandidat fillimisht kërkon votën për partinë, e më pas për veten.

Në këtë mënyrë, në çdo rrethanë, partia është fituese, pasi votat e çdo kandidati i përfiton, pavarësisht nëse ai arrin të plotësojë numrin për të qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta