
Nëse këto sekuenca i ndjek dikush që nuk kupton shqip dhe nuk e njeh realitetin, ndoshta nuk do të kuptonte kurrë se kjo është mënyra se si bëhet fushata në Shqipëri.
Rrjetet sociale po shfrytëzohen maksimalisht JO për të zbuluar programe, por për të argëtuar elektoratin. Premtimet bazuar në programe janë një sport i panjohur i politikës sonë.
“Palët kanë vendosur t’i bien shkurt, të kalojnë në një fushatë më shumë virtuale dhe simbolike sesa një fushatë elektorale,” u shpreh Afrim Krasniqi, Instituti i Studimeve Politike.
Fryma e masivizimit të rrjeteve sociale në fushatë, vjen nga përtej Oqeanit Atlantik me presidentin Donald Trump, që një pjesë të madhe të suksesit në zgjedhjen e tij në krye të Shtëpisë së Bardhë e kishte nga rrjetet sociale. Por, siç ndodh rëndom, politika jonë kopjet i tjetërson në variant të shëmtuar.
Trump zgjodhi të shkonte drejt brezit të ri me platformat online. Madje, edhe në podcaste që drejtoheshin nga Gen Z, të njohur si Logan Paul, një influencer me mjaft peshë në të gjithë botën.
Kreu i opozitës, Sali Berisha, i këshilluar nga ekipi i Chris LaCivita, bashkëdrejtues i fushatës së Trump, po mundohet të bëjë të njëjtën gjë. Së fundmi, Berisha pati një dalje në një podcast në rrjet që drejtohet nga Eugent Bushpepaj dhe Renis Gjoka.
“Kam përshtypje që partitë politike në Shqipëri e kanë kuptuar në njëfarë forme, dhe nuk e di nëse diçka e tillë është e drejtuar nga politika apo nga qytetarët. E kanë kuptuar se qytetarët nuk i tërheq programi dhe ajo që bën zhurmë janë gjërat sipërfaqësore, një video apo këngë e krijuar me inteligjencë artificiale. Dhe mendoj se fushata e këtij viti është e fokusuar në përdorimin e inteligjencës artificiale te gjërat sipërfaqësore, jo te kryesoret,” u shpreh Denisa Kele, eksperte AI.
“Ne shohim se lufta apo debati i madh në Shqipëri është nëse zoti Berisha pranohet nga amerikanët dhe i ngjason fushatës së Trump, qoftë nga ana vizive, në sloganin me përfaqësuesin amerikan që mban në krah, deri te kapeleja simbolike, e njëjtë me modelin amerikan por me një retorikë tipike shqiptare që nuk ka lidhje me Amerikën dhe me një CV shqiptare,” u shpreh Afrim Krasniqi, Instituti i Studimeve Politike.
Rama, po ashtu, nuk mund të bënte përjashtim nga përdorimi i rrjeteve sociale dhe kthimin në pikë të fortë të ekipit që menaxhon. Kryeministri i Shqipërisë, thuajse në çdo takim të tij elektoral, prodhon një shfaqje apo përplasje që është e vetëdijshme se bëhet virale. Ndoshta, një strategji e tillë nisi rastësisht për kryetarin e PS.
Ishte kjo video e Ramës që humbi vetëpërmbajtjen në një nga bashkëbisedimet e tij të zakonshme online në Facebook. Në një moment, patën probleme me internetin dhe kryeministri reagoi duke u kthyer në njeriun më të diskutuar të ditës. Ose thënë shkurt, në gjuhën e internetit: meme.
“Kur bëhet fjalë për rrjetet sociale, kemi thënë se dikush që thyen një piano tenton të marrë më shumë view se Mozart-i nëse rikthehet nga jeta dhe i bie pianos,” u shpreh Tomi Kallanxhi, ekspert IT.
Top Channel