
Dy nga subjektet politike që kanë përdorur teknologjinë dhe rrjetet sociale përtej qëllimit të parë, sipërfaqësor, në kontekst viraliteti, kanë qenë Partia Mundësia dhe Partia Socialiste.
Drejtuesit e këtyre partive kanë përdorur të dhënat e marra online për të identifikuar personat që kanë pëlqyer postet e tyre me tentativën e identifikimit dhe kontaktimit nëpërmjet call center-ave më pas.
‘Ndoshta mazhoranca është duke shfrytëzuar të gjitha kapacitetet për përpunimin dhe analizimin e të dhënave të mëdha. Po e bën për të profilizuar qytetarët, por edhe për të kuptuar si është qasja. Dhe në momentin që e kuptojnë, bëjnë dhe një program për të shkuar te këta qytetarë që mund të jenë edhe elektorat gri, ose kundër.
Janë duke përdorur AI për të kuptuar preferencat e qytetarëve. Më pas telefonojnë, apo kontaktojnë këta qytetarë që kanë shprehur pëlqimin e tyre për programin e tyre elektoral,’ u shpreh Denisa Kele, eksperte AI.
Risia më e madhe e kësaj fushate është përdorimi i Inteligjencës Artificiale. Partitë politike, apo kandidatët janë bazuar te AI, madje kanë krijuar edhe poste nëpërmjet saj.
Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë përdorur Inteligjencën Artificiale për të prodhuar mesazhe kundër rivalëve të tyre, ndërsa Partia Mundësia reklamonte krijimin e këngës së fushatës vetëm me 10 dollarë nga AI, pavarësisht se posti u sponsorizua rreth 200 dollarë…
‘Një ndër aftësitë e AI është manipulimi në masë i qytetarëve dhe varet se si do të përdoret. Në këtë fushatë AI nuk është përdorur si armë për të prezantuar më të mirën e tyre, por AI është përdorur për intimidimin e kundërshtarëve. Të gjitha videot që kam parë, dhe videoja e Ramës, kanë qenë një serial i krijuar për të intimiduar kundërshtarët; manipulon në një lloj forme,’ u shpreh Denisa Kele, eksperte AI.
‘Këto lloj kontrasti midis dy liderëve politikë që përpiqen për të imituar njëri Brukselin dhe njëri SHBA, po sillen deri diku si modeli negativ i liderëve provincialë, lokalë, që duan të kontrollojnë turmat, të kontrollojnë militantët, të kontrollojnë besnikët dhe denigrojnë pafund rivalët dhe kritikët e tyre politikë dhe civilë. Janë, mendoj, tiparet kryesore të kësaj fushate elektorale,’ u shpreh Afrim Krasniqi, Instituti i Studimeve Politike.
Përdorimi i AI në këtë fushatë ka pasur edhe efekte negative, pasi ka arritur të futet dhe në të dhëna mjaft sensitive për qytetarët. Pavarësisht se në Shqipëri janë bërë publike numrat e kartave të identitetit, të telefonave, madje edhe pagat, tashmë nëpërmjet përdorimit të AI, partitë politike po prekin edhe caqe të tjera. Ata po tentojnë të kuptojnë preferencat tona dhe nuk kanë vetëkontroll për të arritur informacionin që duan.
‘Deri ku mund ta çojmë ne, të na ndihmojë, por pa prekur intimitetin e dikujt. Po shfrytëzohen të gjitha mjetet që partitë të marrin ato që dëshirojnë në fund,’ u shpreh Denisa Kele, eksperte AI.
Fushata ka zbuluar edhe politikanë që përgatisin fjalimet e mbushura me premtime me ChatGPT. Nëse për qytetarët është e vështirë që të kuptohet diçka e tillë, për profesionistët nuk është kështu. Madje, perceptohet mjaft lehtë, kur me qytetarët po flet Inteligjenca Artificiale dhe jo thellësia e mendimit, apo ndjeshmëria e kandidatit recitues.
Top Channel