Diaspora/ “Erdhën 13.600 zarfe, deri më sot kanë mbërritur 152 mijë zarfe”, PD: Në Greqi ka manipulime.

07/05/2025 12:36

Pas dy ditësh mungesë, këtë të mërkurë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori në administrim rreth 13 mijë e 600 zarfe me fletë votimi nga diaspora.

Avioni i kompanisë postare solli në Shqipëri thasët e mbushur me vullnetin e votuesve nga jashtë, ku 3 mijë prej tyre i përkasin Greqisë.

Në total, numri i zarfeve të mbërritura nga diaspora është mbi 152 mijë, duke lehtësuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve përballë ankesave të partive politike.

Procesi i shpërndarjes së zarfeve po shoqërohet me mungesë besimi nga ana e Partisë Demokratike, e cila vijon të depozitojë në protokollin e KQZ-së ankesë pas ankese, ku më e fundit mban datën 6 maj dhe rendit një mori shkeljesh në pesë shtete.

“Në Athinë, aktivistë të Partisë Socialiste shpërndajnë dhe mbledhin zarfe nëpër lagje. Në Selanik ka filmim të votës dhe zarfe me më shumë se një fletë votimi. Në Itali, votuesit marrin zarfet e fqinjëve pa verifikim të identitetit. Në Gjermani ka mungesë në marrjen e zarfeve nga dhjetëra votues të regjistruar. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë konstatuar zarfe të lëna pa njoftim dhe pa firmë të marrësit. Në Angli, vonesa me zarfe të paudhëzuara”, ankohet Partia Demokratike.

“Thembra e Akilit” e procesit në diasporë për opozitën mbetet Greqia, ku kërkohet një audit i menjëhershëm dhe rishikim për pavlefshmëri të çdo vote të dorëzuar në zarf të pavulosur, si dhe hetim penal nga SPAK për blerje votash.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta