
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë në fshatin Plan në Has.
Motra e viktimës goditi me shkop prindërit e autorit një ditë më parë, sipas gazetarit të Top Channel, Bekim Lekica.
Këtë mesditë, autori 41-vjeçar e zuri viktimën në pritë afër banesës.
Ylber Jaku është autori i vrasjes së Ryshyt Sallahut. Sherri me sende të forta mes familjes Sallahu dhe Jaku ndodhi për motive pronësie.
Sot policia e arrestoi 21-vjeçaren, motrën e viktimës, por konfliktin e la të hapur, duke mos e parandaluar ngjarjen tragjike.
Ajo goditi prindërit e autorit të vrasjes, A. J., 65 vjeç dhe V. J., 60 vjeçe, ku babai mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa gruaja V. J. vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.
“Në vijim të informacionit të dhënë dje, për një konflikt për motive pronësie në fshatin Pla, bëjmë me dije se në vijim të veprimeve hetimore për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Has arrestuan në flagrancë shtetasen: A. S., 21 vjeçe, banuese në fshatin Pla, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.
Nga veprimet hetimore dyshohet se gjatë konfliktit për motive pronësie, kjo shtetase ka goditur me mjete të forta, shtetasit A. J., 65 vjeç dhe V. J., 60 vjeçe (bashkëshortë). Shtetasi A. J. mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa shtetasja V. J. vijon të jetë në kujdesin e mjekëve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme”, shkruhet në njoftimin e policisë të një dite më parë.
Top Channel