
Rihanna, është në pritje të fëmijës së saj të tretë me partnerin A$AP Rocky. Lajmi u konfirmua për “Page Six” nga një burim pranë çiftit, pak përpara se ajo të parakalonte në tapetin e kuq të Met Gala 2025.
Pak minuta më parë, ylli i muzikës u shfaq në hotelin Carlyle në New York City, ku zbuloi barkun e rrumbullakosur për herë të parë. Pavarësisht reshjeve të shiut dhe motit të paqëndrueshëm, Rihanna tërhoqi vëmendjen me një veshje gri elegante – një fund të shkurtër të kombinuar me bluzë, çorape deri në gjunjë dhe taka në të njëjtën nuancë. Në disa momente, ajo u përpoq të mbulonte barkun me një shall prej peliçeje ngjyrë kafe.
Rihanna dhe A$AP Rocky janë tashmë prindër të dy djemve, RZA, i lindur në maj të vitit 2022 dhe Riot Rose, i cili erdhi në jetë në gusht 2023.
Në dhjetor të kaluar, gjatë një interviste për “E! News”, Rihanna kishte lënë të kuptohej se dëshironte një tjetër fëmijë. Me humor ajo tha: “Deri tani kam vetëm djem. Jam 75 për qind për një tjetër djalë, por po mbajmë gishtat e kryqëzuar.”
Që prej vitit 2020, këngëtarja dhe sipërmarrësja e suksesshme ka folur shpesh për dëshirën për të krijuar një familje të madhe. Në një intervistë për “British Vogue”, ajo kishte treguar se e imagjinonte veten me tre ose katër fëmijë – qoftë me partner, qoftë edhe vetëm.
Top Channel