
Replikat me kryeministrin Edi Rama, drejtuesi politik i PD-në në Elbasan, Tomor Alizoti, i vijoi këtë mbrëmje nga studio e “Top Story”, ku është i ftuar.
Deklaratën e Ramës kur i tha ‘je marrë me njerëzit e gabuar’, Alizoti e quan kërcënim.
“Më kujton Kinostudion e dikurshme. Një armatë e madhe që propagandon. Atë ditë ka pasur një shpërthim në Elbasan, ndaj përmenda minat. Ndërsa si njeri i lidhur me bandat, ai (Rama) duhet ngrënë. Por ai është dhe njeri që nuk hahet. Por ai sot ka bërë një kërcënim. Tha po ke gjetur vendin e gabuar, njerëzit më të gabuar”.
“Do merrem drejtpërdrejt me Ramën”, tha demokrati, që akuzoi paraardhësit e kryesocialistit se kanë dënuar me vdekje gjatë diktaturës babanë dhe të afërmit e tij.
“Çuni i Kristaqit duhet të dijë një gjë, Tomor Alizoti është biri i dikujt që është varur nga partia e Kristaqit. Ai sot ka bërë një kërcënim. Unë jam duke u marrë pikërisht me njeriun e saktë. Imagjinoni në një vend si Gjermania që nipi i Hitlerit t’u drejtohej atyre që kanë qenë në kampet e përqëndrimit. Ai këtu po merret me racë, nëse ai është soj delenxhiu, ta dijë që partia e punës, ai vetë, prejardhja e tij është mision për mua. Njerëzit e mi janë varur nga njerëzit e tij. Të diskutoj me një njeri që ka lindur pa brekë rrugëve të Parisit, nuk e bëj dot…”
Nga takimi përmbyllës i fushatës në Elbasan, kryesocialisti Edi Rama ironizoi sërish drejtuesin e PD-së në qarkun e Elbasanit. Ke gjetur njerëzit e gabuar për t’u marrë, tha Rama, duke iu referuar deklaratës së Alizotit, kur tha “do t’ju hamë të gjallë”.
“Paradite shkova në Librazhd dhe pata një moment që më kapi frika kur po i afrohesha Librazhdit. Më kapi frika se thashë mos më ha Alizoti të gjallë. Por, shkoj atje dhe gjej lumë. Shih andej, shih këtej se pashë asgjëkundi Ludovikun. Tani që ju pashë juve, mendova me vete, e kupton mor Tomor se çfarë do të hash të gjallë ti apo jo. S’e ka një fjalë populli shqiptar Tomor, thotë ‘tamaja modhe të le pa gjo’. Por, me sa shoh unë, tamaja modhe, ty do të lejë pa zo. O Ludovik, ke gjet vendin më të gabum, njerëzit më të gabum, forcën më të gabume me u ngatërro mo Tomor. Më del para syve Tomori dhe e mendoj në datë 12”, tha kryetari i Partisë Socialiste.
Top Channel