
2024 ishte një vit i begatë për sektorin bankar teksa fitimi në vlerë absolute arriti në 36.2 miliardë lekë, 27% më shumë se 1 vit më parë.
Por një tendencë e bankave vihet re vitet e fundit teksa investimet e tyre gjithnjë e më shumë po drejtohen edhe në tregjet e huaja.
“Rritje të investimeve të bankave jo vetëm kredi por dhe në tituj financiar brenda dhe jashtë vendit. Një prej porosive të FMN është të diversifikohen këto portofole për të menaxhuar rrezikun. Dhe të ulet ekspozimi ndaj shteteve të huaja të cilat mund të rrisin ekspozimin e tërheqjes së parave nga tregu vendas për të financuar këtë treg këtë ekonomi”, tha eksperti banker Artur Ribaj.
Më shumë investime të bankave në tregun vendas do e nxiste më shumë ekonominë shqiptare sipas ekspertëve të tregut. Të cilët sugjerojnë një orientim të investimeve në Shqipëri për të zhvilluar më shumë sektorët në nevojë.
“Nëse paratë e investuara jashtë Shqipërisë do të ishin potencial në vendin tonë, do të rriste presionin ndaj bankave për të aplikuar norma interesi kredie më të reduktuara. Por nga ana tjetër më shumë sektorë të cilët janë edhe në nevojë siç është ai i bujqësisë do të përfitonin më shumë financim në kredi”, tha Ribaj.
Rreth 40% e totalit të aktiveve të bankave investohen në tituj financiar të cilat shkojnë për borxhin e jashtëm por dhe investime në tregje të huaja.
Top Channel