
AF Elbasani ka bërë një tjetër hap të rëndësishëm në konsolidimin e projektit të saj ambicioz në elitën e futbollit shqiptar, duke zyrtarizuar vazhdimin e bashkëpunimit me trajnerin Ivan Gvozdenovic për sezonin 2025-2026.
Lajmi është bërë i ditur këtë mesjavë nga burime zyrtare pranë klubit, ndërsa konfirmimi përfundimtar ka ardhur edhe nga vetë presidenti i verdhebluve.
Tekniku serb 46-vjeçar, i cili mori drejtimin e Elbasanit në sezonin e kaluar dhe udhëhoqi skuadrën drejt një paraqitjeje dinjitoze në Superiore, ka fituar besimin e drejtuesve për të vazhduar në krye të pankinës edhe për një edicion tjetër.
Performanca e ekipit nën drejtimin e Gvozdenovic është vlerësuar pozitivisht, si për stilin e lojës që ka implementuar, ashtu edhe për rritjen e disiplinës dhe organizimit brenda grupit.
Presidenti i AF Elbasanit e ka vlerësuar trajnerin serb për punën e bërë gjatë kohës që drejton AF Elbasanin. “Ivan Gvozdenoviç ka treguar profesionalizëm, vizion dhe përkushtim maksimal ndaj projektit tonë. Jemi të bindur që nën drejtimin e tij do të vazhdojmë të rritemi dhe të konkurrojmë denjësisht në Superiore.”
Vendimi për të rinovuar me Gvozdenovic është një sinjal i qartë se klubi po punon për stabilitet dhe vazhdimësi, elementë kyç për suksesin në nivelet e larta të futbollit.
Në javët në vijim pritet që trajneri të prezantojë edhe planin e tij për fazën përgatitore të verës dhe përforcimet që do t’i nevojiten skuadrës për sezonin e ri.
Ky rinovim është mirëpritur edhe nga tifozët elbasanas, të cilët kanë krijuar një lidhje të veçantë me trajnerin që tashmë shihet si një figurë kyçe në identitetin e ri të skuadrës.
Gvozdenovic, me përvojën dhe qasjen e tij moderne, duket se do të jetë një nga emrat më të rëndësishëm të Superiores edhe në edicionin e ardhshëm.
Top Channel