
Xhemal Gjunkshi, kandidati për deputet i PD-së në Dibër, ishte denoncuesi i radhës, i cili kërkoi nga SPAK të hetojë për krime zgjedhore.
SPAK thotë se deri në datën 5 maj janë regjistruar 115 kallëzime, që siç mëson TCH, lidhen me pretendime për blerjen e votës, përdorim të administratës gjatë fushatës, por edhe kanosje. Gjunkshi pretendon një lloj tjetër korrupsioni zgjedhor, siç është ofrimi i asfaltit elektoral.
Si konkurrenti politik Gjunkshi, kanë dorëzuar denoncime edhe 25 kandidatë të tjerë që synojnë një mandat nga zgjedhjet e 11 majit.
Këto denoncime janë dorëzuar nga subjekte politike, nga qytetarët, në platformën online, si dhe nga ato të regjistruara kryesisht nga vetë SPAK.
Në platformën online, SPAK deklaron se janë dërguar 35 kallëzime, ndërkohë që tetë të tjera janë regjistruar kryesisht, pra me iniciativën e prokurorëve të posaçëm. Referimet e policisë lidhen me dyshimet për korrupsion, por edhe me ngjarje të ndodhura së fundmi, bëri me dije një burim i TCH.
Prokurorët e posaçëm kanë zbritur këtë javë në rrethet që u janë caktuar, të mbështetur nga BKH dhe oficerët financiarë.
Top Channel