
Emrat më të mëdhenj në botën e argëtimit po përgatiten të festojnë në Met Gala ditën e sotme, nata më glamour në industrinë e modës.
Reperi Pharrell Williams, piloti i F1 Lewis Hamilton dhe ylli i NBA-së LeBron James janë ndër prezantuesit e eventit të këtij viti, i cili mbledh para për Institutin e Kostumeve të Muzeut Metropolitan të Artit.
Ekspozita eksploron rëndësinë historike dhe kulturore të këtij stili të veçantë nga shekulli i 18-të deri në ditët e sotme. Aty të paraqiten veshje, fotografi dhe vepra arti që nxjerrin në pah evolucionin e modës së burrave me ngjyrë dhe ndikimin e saj në skenën globale. Tema e Met Gala zakonisht shoqërohet me ekspozitën më të fundit të Institutit të Kostumeve, e cila këtë vit titullohet Superfine: Tailoring Black Style.
Është frymëzuar nga libri i Monica L Miller “Slaves to Fashion: Black Dandyism and the Styling of Black Diasporic Identity”, botuar në vitin 2009 dhe kodi i veshjes së këtij viti është “Tailored for You” (E përshtatur për Ju), një referencë për kostumet dhe veshjet për meshkuj të paraqitura në ekspozitë.
Në fakt, kjo është Met Gala e parë në më shumë se dy dekada që përqendrohet ekskluzivisht në veshjet për meshkuj. “Tema e këtij viti nuk është vetëm aktuale,” tha Usher, një anëtar i komitetit të Galës, “por ajo flet edhe për kulturën tonë të pasur që duhet të festohet gjithmonë gjerësisht.”
Vizitorët inkurajohen të interpretojnë në mënyrë krijuese kodin e veshjes, duke prezantuar një larmi stilesh kostumesh – nga krijimet klasike te pamjet e guximshme dhe të frymëzuara historikisht, siç janë kostumet zoot ose stili sapeur kongolez. Aksesorë të tillë si kapelat, kravatat, bastunët, gjilpërat dhe katrorët e xhepit pritet të jenë gjithashtu në ekspozitë.
Drejtuesja e Vogue, Anna Wintour, e cila mbikëqyr galanë çdo vit, këtë vit i bashkohen bashkëkryetarët Pharrell Williams, Lewis Hamilton, Colman Domingo, A$AP Rocky dhe LeBron James.
Talenti i krijuesve afrikano-amerikanë po nderohet gjithashtu nga komiteti pritës i eventit, i cili përfshin atleten Simone Biles, regjisorin Spike Lee, aktoren Ayo Entebi, yjet e popit Doechii, Usher, Tyla, Janelle Monáe dhe André 3000, si dhe dramaturgun Jeremy O’Harris.
Met Gala zhvillohet gjithmonë të hënën e parë të majit, me të ftuarit që mbërrijnë afërsisht në orën 6:00 pasdite (ora lokale) dhe lista e emrave të famshëm nuk publikohet paraprakisht, duke mbetur një sekret i ruajtur me kujdes deri në minutën e fundit.
Është një ngjarje ekskluzive, e hapur vetëm për një numër të vogël të ftuarish që zakonisht nuk i kalojnë 450. Të ardhurat nga shitja e biletave shkojnë për institutin e kostumeve. Kuptohet që një biletë e vetme kushton rreth 75,000 dollarë, ndërsa një tavolinë me 10 vende fillon nga 350,000 dollarë.
Top Channel